Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti | Foto: Korab Basha

Kurti: Të Mos Lejohet Asnjë Shqiptar ta Shesë Pronën në Veri

Në fjalën e tij në interpelancën e kryeministrit për situatën në Mitrovicë, deputeti i VV-së, Albin Kurti e pyeti Isa Mustafën se pse rruga “Mbreti Pjetër” duhet të shndërrohet në rrugë për këmbësorë.

A beson që është çështje e mirë, e drejtë, apo nuk ka pasë çare pa e pranu? E nëse nuk ka pasë çare të na tregojë pse nuk ka pasë çare. Dhe, a ka qenë i kushtëzuar? Nëse po si ka qenë i kushtëzuar?, ka pyetur Kurti.

Deputeti i Vetëvendosjes iu kthye deklaratës së kryeministrit Mustafa se “disa kanë qenë të interesuar të udhëheqin me dialogun me Serbinë“. Me këtë rast, Albin Kurti tha se është e vërtetë që në kohën e VAN-it Vetëvendosje ka kërkuar ta udhëheqë dialogun. “Ju e keni nënshkru vetë atë marrëveshje. Ne jemi për dialog, por për dialog me kushte për Serbinë”, tha Kurti.

Sa i përket gjendjes në Mitrovicë, deputeti Albin Kurti theksoi se VV në planin e saj beson që është i mundshëm bashkimi i Mitrovicës edhe në aspektin socio-ekonomik.

Po ashtu, Kurti sugjeroi se Qeveria nuk do të duhej të lejonte asnjë shqiptar të shesë pronën në veri. “Nëse i shesin për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike atë ta blejë Qeveria e Kosovës e të mos ia lejojë Qeverisë së Serbisë”, tha ai.

Sa i përket integrimit të serbëve, Kurti tha se barazia është ajo që i integron e jo privilegjet.

Sa i përket gjendjes në veri, deputeti i VV-së tha se kjo pjesë i ka pësuar dy goditje të mëdha më 1999 dhe 2000: e para me telat me gjemba dhe e dyta dëbimi i shqiptarëve prej andej.

Ai ka përmendur një video që po qarkullon në internet, në të cilën shihen mjekët shqiptarë që tentojnë të kthehen në spital në veri. Sipas tij, në video shihet Hashim Thaçi e Kadri Veseli që i kthejnë shqiptarë e nuk i lejojnë të shkojnë të shkojnë në spital.

“Ajo që shihet aty është që hala pa u kry lufta ata shihet të veshur me kollare, të përgatitur për pushtet. Ne s’kemi faj por kemi përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhë”, theksoi Albin Kurti, duke kërkuar nga kryetari i Kuvendit që ta lejojë shfaqjen e kësaj videoje 9-minutëshe në Kuvend.

“Mësuesi deputet e kishim lëshu nëse lejoni me ia heq 10 minuta njërit nga deputetët tuaj”, iu përgjigj kryeparlamentari Veseli, duke vlerësuar se “këta më shumë e kanë zorin te na sesa te Serbia”.