Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti: S’u Betuan Gjyqtarët e Veriut Para Presidentit, por Ai Para Tyre

Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka reaguar rreth tekstit zyrtar që u publikua jozyrtarisht lidhur me emërimin gjyqtarëve serbë të veriut të vendit.

Sipas Kurtit, dokumenti nuk ka logo e as memorandum apo çfarëdo pjese hyrëse sipër dhe si i tillë, sipas tij, ngjan fort jozyrtar.

“Këta gjyqtarë dhe prokurorë qenkan emëruar duke nënshkruar deklaratë që askund nuk përmend Republikën e Kosovës ose Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Përmendet vetëm Kosova, legjislacioni i Kosovës dhe konkluzionet e dakorduara për proces të integrimit”, ka shkruar Kurti në një postim të titulluar “Integrimi i Presidentit”.

“Pra, nuk shprehet në asnjë mënyrë lojaliteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në fjalë ndaj shtetit të Kosovës. E, në vend të Kushtetutës së Kosovës këta thuhet se paskan si bazë Marrëveshjen e Parë (Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013)”, ka shtuar deputeti i VV-së.

Albin Kurti shpjegon se si derivat i asaj Marrëveshjeje të parë, Marrëveshja për Drejtësi e 10 shkurtit 2015 midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, parasheh që kryetari i Gjykatës Themelore për rajonin e Mitrovicës të jetë serb dhe gjithsej në ndërtesa të jenë 147 shqiptarë dhe 170 serbë.

“Qytetarët serbë do të gjykohen vetëm nga zyrtarë serbë kurse ata shqiptarë ku t’iu qëllojë”, ka shkruar ai.

Me këso teksti të emërimit, vazhdon Kurti, më parë sesa këta gjyqtarë e prokurorë të jenë betuar para Presidentit Thaçi duket se e kundërta ngjau: Thaçi hoqi gjithçka shtetërore, shmangu republikën duke depolitizuar Kosovën në term gjeografik, dhe, ishte ai që u betua para këtyre gjyqtarëve e prokurorëve që nuk e njohin Republikën e Kosovës, përkatësisht pavarësinë e shtetit tonë.

“Kësisoj, nuk po integrohen gjyqtarët e prokurorët serbë në shtetin e Kosovës, por Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po integrohet në drejtësinë e pajtuar me Serbinë”, ka theksuar Kurti.

Deputeti Kurti aludonte në dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga pakicat më 24 tetor.

http://kallxo.com/gjyqtaret-dhe-prokuroret-e-pakicave-te-presidenti-per-dekretim/

Një javë më herët dekretimi kishte dështuar pasi gjyqtarët dhe prokurorët nuk shkuan te Thaçi për ta kryer këtë procedurë.

Presidenti Thaçi atë ditë akuzoi Serbinë se nuk lejoi shkuarjen për dekretim të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Thaçi të martën e kaluar fajësoi edhe BE-në për paaftësi të ndërmjetësimit.