Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Politikanët Duhet ta Plotësojnë edhe Një Kusht – Ta Luftojnë Vetveten

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nga Kuvendi i Kosovës ka gjetur kohë të shkruaj në faqen e tij në Facebook.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është legjitimim i tradhtisë së Hashim Thaçit.

Ai i ka quajtur kriminel politikanët që po i premtojnë viza qytetarëve të Kosovës, e që sipas tij, ata e kanë edhe një kusht tjetër, ta luftojnë vetveten, duke e menduar kushtin tjetër të BE-së, luftimin e krimit dhe korrupsionit.

 

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit në Facebook:

 Ratifikimi i ‘Demarkacionit’ të Mehës me Malin e Zi është legjitimim i tradhtisë së Thaçit. Pasnesër ai i ratifikuar shkon në Bruksel për ta vazhduar ‘Zajednicën’ me Vuçiqin.

Ky regjim dëshiron t’i thotë Malit të Zi, Serbisë dhe ndërkombëtarëve se Isa Mustafa nuk ua kryen ‘Demarkacionin’, është Ramush Haradinaj ai që fal tokë të Kosovës; dhe, Isa Mustafa nuk ua kryen ‘Zajednicën’, është Hashim Thaçi ai që fal shtet të Kosovës. Janë të gjithë bashkë në dëmtimin e Kosovës. Janë secili të ndarë në garën e efikasitetit për dëmtimin e Kosovës. Serviliteti ndaj burokratëve ndërkombëtarë është bërë servilitet ndaj fqinjëve hegjemonë. Sepse, stabiliteti (në kurriz të drejtësisë) në Kosovë është veçse në funksion të stabilitetit rajonal (në kurriz të Kosovës).

Ndërkohë, qytetarëve tonë ua premtojnë heqjen e vizave pikërisht kriminelët që nuk duan të hiqen nga pushteti në Kosovë, e të cilëve u mbetet edhe një kusht i BE-së mandej: ta luftojnë vetveten.