Lëvizja Vetëvendosje - Foto: KALLXO.com

Kurti: Për ta Vendosur Kosovën në Binarë Duhet të Qeverisë VV

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sot se 19 vjet pas çlirimit “detyrë e jona është ta vendosim Kosovën në binarë” dhe se për këtë është e rëndësishme dhe duhet të qeverisë subjekti i tij.

Këto komente i pari i VV-së i bëri në një mbledhje të Këshillit të Vetëvendosjes.

“Hapi i ardhshëm për ne është ardhja në qeverisje”, theksoi Albin Kurti.

“Jemi një opozitë aq e fuqishme sa që do të vëmë në pozitë të vështirë të gjithë subjektet e tjera politike”, shtoi ai.

Më tej, Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje duhet të jetë e hapur dhe të pranojë kritika e diskutime.

“Po ashtu, duhet të jemi të vendosur kundër atyre që dëshirojnë ta rrënojnë vendin. Le të na prijë mirësia dhe lë të na prijë mbarësia”, theksoi Albin Kurti në këtë mbledhje, e cila filloi me intonimin e himnin kombëtar shqiptar dhe ku me një minutë heshtje u nderuan, siç u tha, “Dëshmorët e Lëvizjes Vetëvendosje”, Astrit dhe Arbënor Dehari.

Po ashtu, zyrtarët e Vetëvendosjes thanë se nuk do të ndalen asnjëherë së kërkuari lirimin e aktivistëve të dënuar për terrorizëm.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, e cila parashihet të mbahet pa prezencën e mediave, Këshilli do të diskutojë për raportin e shpenzimeve për zgjedhjet lokale, plan-buxhetin për vitin 2018 si dhe çështjet e organizimit dhe të funksionimit të brendshëm.