Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti | Foto: Korab Basha

Kurti: PAN të Përgatitet për një Hedhje të Re

Bojkoti i koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN) është opozitarizëm ndaj Kuvendit të Republikës dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe dyfishimit të forcës progresive që u bë partia më e madhe në vend, ka thënë Albin Kurti në një postim në “Facebook”.

Sipas kandidatit për kryeministër nga radhët e VV-së, në thelb të bojkotit të PAN-it ndodhet mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit 2017.

Albin Kurti vlerëson se populli më 11 qershor ia prishi PAN-it pazaret. Sipas tij, PDK nuk i deshi zgjedhjet e parakohshme për ta ribërë Kadri Veselin kryeparlamentar dhe as për ta bërë Ramush Haradinajn kryeministër. “Të tjera pazare kishin në mendje veçse populli me 11 qershor ua prishi pazaret e i la pa mend. Qytetarët e befasuan regjimin i cili nuk mund t’i befasonte më qytetarët. Aq i keq që ishte bërë ai”, shtoi ai.

“Disa prej tyre nuk mund të dalin nga pazari sepse pazari është i vetmi planet ku mund të ketë jetë për ta. Qëndrimin në pazar e kanë lëvizje të detyrueshme”, ka shtuar Albin Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Duke i dhënë “veton” koalicionit parazgjedhor që del i pari në zgjedhje, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 sipas Kurtit ia ka vënë kazmën Republikës parlamentare.

Kurti thotë se shtyrja e mbledhjes konstituive të Kuvendit po bëhet për arsye se PAN po pret dorëzimin e listave me kandidatët për zgjedhjet lokale. “Shtohen zvarritjet që të blihet kohë e qeveria të formohet në kuadër të pazarit të ri të balotazheve në fillim të nëntorit”, theksoi ai.

“Mirëpo, edhe këtë zgjerim pazari qytetarët do t’ua prishin me 22 tetor. Ka nisur epoka kur populli do të mësohet të fitojë e politikanët do të mësohen të humbin”, shton ai, duke e porositur PAN-in të bëhet gati për një hedhje të re. “Nuk besoj që lidhja e rripave u bën punë”.