Albin Kurti në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Kurti: Në Qeveri Ka Njerëz që Janë Kundër Hetimit të Pavarur të Vdekjes së Astrit Deharit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha sot në Kuvend se e mbështet çdo ndihmë e bashkëpunim nga Qeveria për zgjidhjen e rastit Dehari, mirëpo sipas tij po në Qeveri ka njerëz me interesa të fora që janë kundër këtij hetimi e që janë pengesë e procesit.

“Sigurisht që ne e mirëpresim çdo leje, bashkëpunim, ndihmë, mbështetje nga Qeveria për Hetim ndërkombëtar, mirëpo ajo që po themi është se në qeverinë e Kosovës e në shtetin e Kosovës ka njerëz me interesa të forta kundër këtij hetimi ndërkombëtar. Këta janë pengesë sepse këta janë pjesë e problemit, janë palë në këtë kontest”, tha Kurti në fjalën e tij në interpelancën e sotme për vdekjen e Astrit Deharit.

Sipas tij, nëse shteti do të ishte në rregull, s’do të kishte pasur nevojë për hetim të pavarur ndërkombëtar.

“Ne po ta kishim shtetin në rregull, s’do të kishim nevojë për hetim të pavarur ndërkombëtar, këtu ka një arsye të thellë se pse po na nevojitet hetimi i pavarur ndërkombëtar, sepse ka disa njerëz që nuk e duan një gjë të tillë dhe e kanë penguar deri më sot, e këta njerëz duhet të s’postohen”, tha Kurti në debatin me Kryeministrit Haradinaj.