Albin Kurti në festën e Vetëvendosjes - Foto: KALLXO.com

Kurti në Festë, nga Arresti Shtëpiak

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është paraqitur në festën e kësaj partie në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet ndonëse ndaj tij Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

E pranishme ishte edhe Donika Kadaj-Bujupi, ndaj të cilës po ashtu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Duke i uruar aktivistët e VV-së për fitoren e kandidatëve të saj në Prishtinë, Prizren e Kamenicë, Kurti bëri shaka me vendimin e Gjykatës, duke theksuar se masa është “arrest shtëpiak” e tha se ai nuk ka shtëpi.

“Por, unë banoj me qira në një banesë që është afër sheshit, aq afër sa po të ishte ajo ndërtesë shtëpi sheshi do të ishte oborri im, kështu që sonte dola në oborr ta festojmë fitoren e Shpend Ahmetit, fitoren e Prishtinës dhe të gjithë juve”, tha para të pranishmëve.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti ua uroi të gjithëve edhe festën e 28 Nëntorit, “nëse rastësisht najqysh nuk shihemi”.

KALLXO.com raportoi dje se Gjykata e Apelit ka vendosur të lirojë nga paraburgimi deputetët Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupin dhe Albulena Haxhiun.

Ndaj dy të parëve Apeli vendosi masën e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj deputetes Albulena Haxhiu nuk është caktuar ndonjë masë e sigurisë.

http://kallxo.com/lirohen-albin-kurti-dhe-deputetet-e-arrestuar/

Kurti, Kadaj-Bujupi, Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për gazin lotsjellës të hedhur më 2015 në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com transmetoi LIVE festën e Vetëvendosjes në Prishtinë.