Albin Kurti në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë, Foto: Facebook

Kurti: Mbi 100 Veta i Bashkohen VV-së në Bastionin e PDK-së

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar se në Stanoc të Epërm të Vushtrrisë, i cili sipas tij dikur ishte bastion i PDK-së, ditëve të fundit ka arritur në mbi njëqind numri i të anëtarësuarve të rinj në partinë e tij.

Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka treguar se vetëm sot janë anëtarësuar 75 banorë të këtij fshati në Lëvizjen Vetëvendosje.

Albin Kurti ka treguar gjithashtu se bashkë me deputetin Xhelal Sveçla ishin pjesë e tubimit që është mbajtur në lokalet e shkollës fillore “Migjeni” në këtë fshat.

“Nënkryetari i komunës, Besim Muzaqi, Koordinatori i Qendrës sonë, Ali Jonuzi, asamblisti e profesori Ymer Haradinaj dhe unë, ju drejtuam të pranishmëve dhe bashkëbiseduam me ta për situatën politike në Kosovë dhe zgjerimin organizativ të Vetëvendosjes”, ka shkruar Kurti.

Ai më tej ka shtuar se strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje po e rrisin anëtarësinë gjë që po e dinamizon Lëvizjen.