Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti: I Lartë Ishte Çmimi i Lirisë

Albin Kurti ka uruar dhjetëvjetorin e pavarësisë duke porositur që ajo duhet të lidhet me luftën çlirimtare.

“Ne duhet që ta ndërlidhim çdo festë tonën shtetërore me atë që është e pazgjidhshme: me luftën çlirimtare, me kryengritjen popullore dhe me sakrificat e mëdha të popullit tonë, simbol madhështor i së cilave është pikërisht sakrifica dhe flijimi i Jasharajave”, shkroi Kurti.

Ai tha se pak pas festimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë “flijimi i tre brezave të familjes Jashari do t’i mbushë dy dekada”.

Kurti kujtoi sa i lartë ishte çmimi i lirisë.

“Me 17 shkurt teksa padyshim festojmë, në të njëjtën kohë, padyshim edhe kujtojmë e përkujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë dhe se rrënjët e saj janë në gjakun e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit”, shkroi Kurti.

Kosova sot feston dhjetë vjet të shtetësisë së saj.