Foto arkivi: Albin Kurti e Edi Rama. Foto: LSA

Kurti i Kërkon Ramës të Mos Merret me Demarkacionin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, reagoi ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama që kërkoi dje nga homologu i tij i Kosovës, Ramush Haradinaj ta ndryshojë qëndrimin kundërshtues rreth marrëveshjes së demarkacionit të kufirit Kosovë- Mali i Zi.

Në një deklaratë të shkruar, Kurti kërkoi nga Rama që të angazhohet në përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara Kosovë- Shqipëri, e jo të merret me udhëzime për marrëveshje të Kosovës me shtete tjera.

Duke rikujtuar marrëveshjet e nënshkruar 16 muaj më parë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të mbajtur në Prishtinë, Kurti tha se Vetëvendosje e ka vlerësuar si progres këtë mbledhje dhe gjashtë marrëveshjet e shtatë detyrat e dala prej saj.

“Marrëveshjet ishin të fushave të rëndësishme për ndërtimin e politikave të përbashkëta, në ekonomi e tregti, në fushat e energjisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës dhe mjedisit, etj. Afatizimi i detyrave i jepte ngjyrë konkrete atyre marrëveshjeve. Shumë prej detyrave konsiderohej se do të realizoheshin brenda dy muajve”, tha Kurti.

“Por ku jemi sot, pas më shumë se një viti, me ato marrëveshje? Askush nuk është mbajtur përgjegjës për moszbatimin e afateve, e as për ngadalësimin deri në ngecje të marrëveshjeve e detyrave. Askush nuk është pushuar nga puna. Ndërkohë realiteti kërkon një dinamikë krejt tjetër: afatizime, përgjegjësi, moral e vullnet për punë”, shtoi ai.

Kurti tha se e ka mirëpritur qeverinë e re nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, duke shpresuar që kjo qeveri do të angazhohet që mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë të krijohet një treg i përbashkët i mallrave dhe shërbimeve, një treg i unifikuar energjitik, një politikë e jashtme e bashkërenduar dhe e njësuar, një bashkëpunim edhe më i afërt në sektorin e sigurisë, si dhe një thellim i gjithanshëm i bashkëpunimit nga arsimi te shëndetësia dhe nga kultura te sporti.

“Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit”, tha ai.

Por Kurti tha se Vetëvendosje nuk do të lëshojë pe në këtë marrëveshje të cilën e ka kundërshtuar që nga nënshkrimi i saj.

“Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur”, tha Albin Kurti.