Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti – Haradinajt: Mos e Voto Demarkacionin, të Përkrahim në Rast të Mocionit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët janë mbledhur për të votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, tha se Vetëvendosje do ta votojë një dokument që korrigjon kufirin e jo një dokument që premton korrigjimin.

“Deklarata e presidenteve për Vetëvendosjen është mashtrim. Ajo është nënshkrim për së dyti i së njëjtën marrëveshje. Vetëvendosje voton vetëm dokumentin që korrigjon,  e jo dokumentin që premton korrigjimin eventual të kufirit”, tha Kurti.

Sipas tij, me logjikën e Murat Mehës, Kosova s’ka kufi.

“Ky votim sot përcakton fatin e gjeneratës së ardhshme, sepse përcakton nëse ka apo jo Kosova shtet. Me logjikën e Mehës Kosova s’ka kufi fare”, tha Kurti.

“Delimitimi Meha është kapitullim pa luftë, le të mos kapitullojë edhe Kuvendi dhe të mos e ratifikojë ndryshimin e kufirit”, tha tutje Kurti.

Sipas Kurtit, pas raportit të Bulliqit, Kuvendi s’do duhej të diskutonte më për këtë Marrëveshje.

“Pas raportit të Bulliqit, s’ka punë Kuvendi këtu, por prokuroria. Pas raportit të Bulliqit seanca e sotme është pengim i drejtësisë”, tha Kurti.

Kurti i ka premtuar Haradinajt që nëse nuk e kalon Marrëveshjen e Demarkacionit, ata nuk do e përkrahin ndonjë mocion mosbesimi që do nisej ndaj tij për shkak të moskalimit të Demarkaiconit.

“82 kilometra katrorë po jepen për çerek metri katror të karriges së Kryeministrit. Kjo që po bëni është mashtrim dhe vetëmashtrim. Nëse duan të ta rrëzojnë Qeverinë, pse ju nuk po i falni tokë Malit të Zi, unë ju mbroj, ne ju mbrojmë. Kur ta bllokojmë Demarkacionin e Mehës, nuk po e lejojmë Thaçin të ju rrëzojë. Mospajtimet dhe dallimet tona mbesin, por unë nuk dua që ju të rrëzoheni pse nuk ia dhatë 8 mijë 200 hektarë. Më vonë ju duhet të rrëzoheni për gjërat që nuk është momenti të flasim tani”, tha Kurti.

“Nëse po të thonë që po deshe që ta vazhdosh Qeverinë, duhesh ta legjitimosh tradhtinë, këtu dhe tash të dalim në ndihmë. Ndonjë mocion mosbesimi që ta nisin, ne nuk e përkrahim mocionin e mosbesimit”, tha tutje Kurti.

KALLXO.com po transmeton LIVE seancën e Kuvendit për Demarkacionin.