Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti e Mbron Rexhep Selimin, Thotë Haradinaj e ka Kapur Gjarprin për Bishti

Pas debatit të sotëm në Kuvendin e Kosovës ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, rreth kontributit në luftë, ka reaguar kryetari i partisë së këtij të fundit, Albin Kurti.

Sipas Kurtit sulja e sotme e Haradinajt ndaj Rexhep Selimi ka ardhur si pasojë që kryeministri nuk po ka çka t’i bëjë Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Xhavit Halitit.

Kurti konsideron se Kryeministri nuk e ka me Rexhep Selimin por me me veten e tij.

Tutje në shkrimin e tij, Kurti thotë se atij Haradinajt mundësua të bëhet kryeministër vetëm të kalonte demarkacionin.

“Haradinaj dikur i kishte rënë gjarpërit në kokë porse tash e kapi për bishti. Dihet pjesa e mbetur e fabulës…”, ka shkruar Kurit në një pjesë të shkrimi të tij.

Sot, kryeministri Haradinaj e ka quajtur deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimin “rrenc”. Madje e ka akuzuar se gjatë kohës së luftës është sjellur në ndërtesa 15 katëshe e se ka shpëtuar pa asnjë therrë në këmbë si në luftë ashtu edhe pas luftës.

Ky është statusi i plotë i Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti:

Më drejtohej mua e fliste për Rexhep Selimin. Nuk e kuptova pse. Rexha doli nga salla e seancës plenare, e kryeministri Haradinaj mori fjalën dhe fliste kundër tij. Pasi që ju përgjigj Rexha, m’u bë e qartë shumëçka nga reagimi i dytë i kryeministrit. Ai kishte humbur toruan dhe gjaknxehtë shfrynte kundër Rexhës. Çka i kishte bërë Rexha? Po, Rexha nuk është arrestuar nga ‘drejtësitë’ me gjemba vendore e ndërkombëtare të pasluftës dhe nuk u vra në luftë siç nuk u vra as Haradinaj. Ndoshta kryeministri s’kishte çka t’i bënte Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Xhavit Halitit me të cilët u bashkua dhe po i sulej Rexhep Selimit? Ç’ishte ky siklet i papërmbajtur i kryeministrit?

Ramush Haradinaj e ka pasur në dorë Hashim Thaçin derisa nuk ia ratifikoi ‘demarkacionin’ pardje. Tash janë ndërruar rolet: Hashim Thaçi e ka në dorë Ramush Haradinajn. Duket që Haradinaj ka besuar se është bërë kryeministër për shkak të ideve të tija zhvillimore në fushën socio-ekonomike dhe edukativo-arsimore. Ai ka harruar se me 10 deputetë nuk bëhesh dot kryeministër, se kryeministër ai është bërë pikërisht për ta kaluar ‘demarkacionin’ në Kuvend. Thaçi, Veseli e Haliti që kanë shpëtuar pa asnjë therrë nga lufta e paslufta nuk ia kanë më nevojën Haradinajt si para 21 marsit. Haradinaj dikur i kishte rënë gjarpërit në kokë porse tash e kapi për bishti. Dihet pjesa e mbetur e fabulës…

Me fjalë të tjera, Haradinaj nuk e ka me Rexhën, e ka me vetveten e tij. Nuk e ka me Rexhën që e kishte afër në luftë e protesta, por me vetveten e tij që u largua prej Rexhës.