Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Demarkacioni, Haradinaj e Meha kanë bërë krim

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha për RTK se vendimi për votimin e Demarkacionit ishte i padrejtë.

Sipas tij, kryeministri Ramush Haradinaj mori bajrakun për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Ishte i padrejtë vendimi i tillë. Jam i bindur se e gjithë kjo u mundësua për shkak se i dha kryeministri aktual 8 mijë e 200 hektarë për një çerek metri katror – për karrigen e kryeministrit. Kryeministri nuk u bë për shkak të zhvillimit ekonomik e shëndetësi e arsim, por për të votuar Demarkacionin për çfarë e mori bajrakun duke kundërshtuar Murat Mehën. Me të njëjtin projektligj që u ratifikua i futi edhe Murat Mehën edhe Shpejtim Bulliqin. Këto janë ato skizofrenitë të cilat po ndërtohen brenda sistemit tonë politik”, tha Kurti.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje do t’i japë prioritet komisionit të Shpejtim Bulliqit ndërsa tha se janë vepra penale ajo çfarë ka bërë kryeministri Haradinaj dhe kryetari i Komisionit të shënjimit të kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.

“Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje, herëdokur do t’i japë prioritet Komisionit të Bulliqit por ajo që ka bërë kryeministri aktual dhe zotëri Meha si kryetar i Komisionit për shënjimin e kufirit janë vepra penale, janë krim”, tha Kurti më tutje.