Sami Kurteshi | Foto: Lëvizja "Vetëvendosje"

Kurteshi: Po Krijohet Ligji i të Fortit

Deputetja e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiu dhe anëtari i kryesisë së këtij subjekti politik Sami Kurteshi dolën sot në një konferencë për gazetarë pas disa vendimeve të ditëve të fundit të gjykatave në Kosovë.

Haxhiu në fillim reagoi ndaj mbylljes për publikun të gjykimit të ish-kreut të Gjykatës së Apelit Salih Mekajt nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Gjykata vendosi që të përjashtojë mediet dhe publikun në seancat gjyqësore edhe përkundër faktit se edhe me Kushtetutën e Republikës, por edhe me Kodin e Procedurës Penale garantohet transparenca dhe publiciteti i seancave gjyqësore,” tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se keqpërdoruesit e detyrës zyrtare po fshihen pas seancave të mbyllura.

“Duke keqpërdorur Kodin e Procedurës Penale, ata që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare po fshihen prapa seancave te mbyllura,” tha Haxhiu.

KALLXO.com shkroi për mbylljen e të gjitha seancave në rastin e Salih Mekajt para dy ditësh, ndërsa kundër kësaj mbylljeje reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

http://kallxo.com/mbyllen-seancat-ndaj-sali-mekajt/

http://kallxo.com/agk-gjykates-reagon-gjykates-per-rastin-e-salih-mekajt/

Haxhiu në konferencë foli edhe për lirimin e Nuhi Ukës, ish-kryetarit të Gjykatës Komunale të Prishtinës nga akuza për krim të organizuar, derisa akuzat tjera ndaj tij ishin vjetruar.

Deputetja e “Vetëvendosjes” që është kryetare e Komisionit për Legjislacion e akuzoi sistemine drejtësisë që është vënë në shërbim të grupeve kriminale të lidhura me pushtetin.

“Ky sistem është dëshmia më e mirë e përmbysjes së brendshme. Kjo përmbysje vjen nga vetë antagonizmi i brendshëm i cili është vënë në shërbim të krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në Kosovë dhe janë instrumente të drejtpërdrejta të subjekteve politike në pushtet,” tha Haxhiu.

Ajo deklaroi se sistemi i drejtësisë vepron me standarde të dyfishta.

“Kur trajton rastet e Nuhi Ukës, Xhabir Zharkut, Ramadan Mujës, të tjerëve si këta, pushon së vepruari deri sa gjendja juridike dhe faktike nuk kthehet në favor të kriminelëve, ndërsa është tejet aktiv dhe azhur tek përndjekja e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje,” tha Haxhiu.

Edhe për lirimin e Nuhi Ukës KALLXO.com shkroi dje.

http://kallxo.com/lirohet-nuhi-uka/

Duke u ndërlidhur me këto vendime të gjykatave, Sami Kurteshi, anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes” tha se kështu po humb besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Si pasojë e mëtutjeshme e humbjes së besimit në drejtësinë institucionale që do të duhej të ishte edhe drejtësi shoqërore, kemi një pasiguri pothuajse totale që për pasojë të rradhës do të kishte tendencën për siguri personale të njerëzve. Dhe kjo tendencë nuk çon askund tjetër, veçse në krijimin e ligjit të të fortit,” tha Kurteshi.

Në lidhje me lirimin e Nuhi Ukës Lëvizja “Vetëvendosje” reagoi edhe dje me anë të një komunikate.