Kuvendi i Kosovës | Foto: Atdhe MUlla

Kurteshi Kërkon Ndalimin e ‘Përndjekjes Politike' Ndaj Aktivistëve të VV-së

Me rastin e 10 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, deputeti Sami Kurteshi ka kujtuar obligimet që dalin nga Deklarata universale e të drejtave të njeriut që përbën edhe dokumentin bazë mbi të cilin mbështetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Ky dokument na obligon neve, të gjitha institucionet shtetërore, e sidomos Kuvendin, që për çdo ditë të veprojmë me të gjitha kapacitetet tona njerëzore, politike, morale e institucionale, për zbutjen e dhe zhdukjen e dhunës sistemore si pushtet, për luftimin e varfërisë, dhunës policore e ushtarake, ekonomike, në të mirë të të varfërve, të pastrehëve, të refugjatëve, të përndjekurve e të burgosurve politikë, për ndalimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve dhe ndaj grupeve të margjinalizuara”, tha Kurteshi në seancën e sotme të Kuvendit.

Nga foltorja e Kuvendit ai ka bërë thirrje për lirimin nga burgu të të gjithë të përndjekurve politikë në Republikën e Kosovës.

“Kërkoj ndalimin e përndjekjes politike të kundërshtarëve politikë, në këtë mes të Adea Batushës, Albin Kurtit, Donika Kadajt, Egzon Halitit e Frashër Krasniqit”, tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kërkoi edhe drejtësi për Astrit e Arbënor Deharin, Mon Balajn e Arben Xheladinin, “drejtësi për të gjithë ata që janë vra për arsye politike në Republikën e Kosovës”.

“Kërkoj të respektohet, të nderohet dhe të veprohet për të gjithë të zhdukurit në Republikën e Kosovës si pasojë e luftës së egër kundër shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës së Kosovës”, theksoi Sami Kurteshi në seancën gjatë të cilës u miratua në parim Projektligji për Buxhetin e vitit 2018.