Kurdistani Irakian Drejt Referendumit për Pavarësi

Një referendum jodetyrues për pavarësi mund të organizohet në Kurdistanin irakian me gjithë vështirësitë aktuale, ka vlerësuar kryetari i këtij rajoni Masoud Barzani, raporton agjencia Reuters.

“Koha ka ardhur dhe situata tani është e favorshme që populli kurd të marrë një vendim përmes një referendumi rreth fatit të tij” ka deklaruar Masoud Barzani në një komunikatë të publikuar në faqen e tij të internetit.

“Ky referendum nuk nënkupton shpalljen e shtetit, por më shumë ndihmon ta kuptojmë mendimin e popullit kurd rreth pavarësisë dhe do të ishte mesazh për lidershipin politik kurd që të ekzekutojë vullnetin e popullit kur të vijë momenti i përshtatshëm”, ka vijuar kryetari.

Masoud Barzani edhe më herët ka bërë thirrje për organizimin e referendumit, por asnjëherë nuk ka caktuar një datë për organizimin e tij.

Kaosi i shkaktuar nga pushtimi i disa zonave të Sirisë dhe Irakut nga “Shteti Islam” u ka ofruar një shans kurdëve për të realizuar ëndrrën e tyre për pavarësi. Mirëpo, rajoni është buzë një kolapsi ekonomik, raporton Reuters.