Kur Fisi Është Më i Madh Se e Tërë Qeveria

Shkurt 19, 2013 – Fisi është i madh! Gjithmonë ka qenë i tillë. I madh dhe i rëndësishëm. I rëndësishëm dhe i fuqishëm. Aq i fuqishëm, sa që publikisht ia shilon nanën kanall m’kanall edhe Kryeministrit e edhe qiftit të atyre të cilët vendosin të bëjnë hajgare me te në momentet kur i duhet pak dritë.

Fuqia e Fisit nuk qëndron në faktin se është kapadai, edhepse njihet me këtë emër. Fuqia e Fisit nuk qëndron as në faktin se ka “liftue”, edhepse është veteran i UÇK-së. Fuqia e një fisi qëndron në vlerat të cilat ia cakton vehtes dhe mënyrën se si i respekton ato.

Edhepse kohëve të fundit Fisi ka veshur petk politik, e kam përshtypjen që përkrahja të cilën e gëzon nuk ka lidhje me ngjyrat e uniformës së tij politike. Është puna dhe kualiteti i punës së Fisit ato të cilat e mbështesin dhe i sigurojnë Fisit përkrahjen e fisit.

Dorën në zemër, puna dhe kualiteti nuk janë duke u vlerësuar si virtyte në të gjitha shtresat e shoqërisë së sotme demokratike dhe të barabartë. Ata që punojnë dhe ata që kanë kualitete kanë mbetur jashtë, ndërsa të tjerët, dikush do të thoshte Qeveria, po flenë brenda, ngase janë më të barabartë se të barabartët. Ndoshta kjo është arsyeja pse e kemi jetën kaq të vështirë!

Fundja, në kohëra të vështira, njërëzit i kthehen vlerave të dëshmuara. E fisi gjithmonë ka shërbyer si mbështetje. Kurrë nuk i ka zhgënjyer njerëzit. Kurrë nuk ka vjedhur nga ta. Kurrë nuk i ka mashtruar. Kur e them këtë, nuk e mas me mandate, por me mijëra vite. E mijëra vite bëjnë civilizim. Qytetari!

Për 1,000 vjet nën Perandorinë Romake; për 500 vjet nën Perandorinë Otomane; për 100 vjet nën regjimin Serb; ishte fisi ai i cili u sigurua që ta ruajë trajtën më të pastër dhe më të shëndoshë të ADN-së së të folurit, menduarit dhe jetuarit Shqip: trajtën më të mirë të qytetarisë shqiptare. Me të gjitha rezultatet e punës dhe kualitetet e saj.

Është vetëm e natyrshme që një Qeveri, pa pedigre e përvojë më të gjatë se një mandat burgu për një palë farmerka të vjedhura në perëndim do të turpërohet sa herë që  vendosë të matet dhe t’i dalë përpara diçkaje që babë e babgjysh e ka pasur të njohur si fisnike, fisnore dhe të sojit. 

Shikët dhe Shiqet e Qeverisë së sotme mund të tentojnë të organizojnë koncerte filharmonishë e të ndajnë dekorata me shumicë. Tashmë ia kanë arritur që edhe të mos e shtrembërojnë shumë fytyrën kur e lëpijnë gotën me shampanjë të lirë festive.

Por ajo që do ta shënojë 5 vjetorin e Shtetit të Kosovës, përsëri nuk është Qeveria, por është Fisi. Si për inat!

Industria më e suksesshme e Kosovës edhe mund të jetë vjedhja e vullnetit të lirë të popullit, por veprimtaria më e përhapur ekonomike, ajo e “ngrënies së xhigerit”, nuk është e rezervuar vetëm për ata që janë më të barabartë se të barabartët.

Para 5 vjetëve, ishte puna e Fisit ajo që u shndërrua në fotografinë e shtetit më të ri në botë. Ishte puna e tij ajo e cila mori shpërblime dhe njohje ndërkombëtare, por nga ato të sinqertat. Është puna e tij ajo që qëndron në gjetjet e para kur “guegllin” e pyet për Kosovë.

E sakrifica dhe kontributi i Qeverisë? Shikët dhe Shiqet mbetën si ndër bagla. Kërrrk! Mu aty ku e kanë vendin. Në xhipa të zinjë, fotele të buta, restorante të shtrenjta, tituj kryesorë lajmesh e artikujsh mercenarë… por të gjitha përsëri mbajnë erë bagle.

Edhe sivjet, jubileu i parë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, do të jetë përsëri puna e Fisit ajo që si fotografi do ta shëtisë botën. I thonë punë. Kualitet! E kat’teshat e 3 mijë eurove, frizurat e 300 eurove do të mbesin prapë me gjithë estravagancën baglore të “parave të rishta”. Kërrrk! Mu aty ku e kanë vendin.

Pasi i kemi bërë ballë 1,000 vjet romakëve, 500 vjet otomanëve, 100 vjet shkjaut… do t’i durojmë edhe 10 vjetët e baglave që më në fund, t’i qepim vet rrobat tona dhe vet ne ta caktojmë ngjyrën që na pëlqen dhe që i shkon fisit, civilizimit dhe qytetarisë sonë. Së paku deri sa Qeveria të qirohet dhe ta arrijë nivelin dhe kualitetin e fisit.