Tryeza e 'Demokraci Plus'. Foto: Kallxo.com

Kuota Gjinore Nuk Është Zgjidhje për Barazinë

Gra deputete, përfaqësuese të institucioneve qendrore e lokale si dhe shoqëria civile kanë diskutuar të enjten në Prishtinë rreth sfidave dhe mundësive të grupeve jo formale të grave në legjislaturën e re për të ndikuar në politik bërje në nivel lokal.

Në tryezën e organizuar nga ‘Demokraci Plus’ në bashkëpunim me CoDe, theksi i vendos mbi rolin e Grupeve Joformale të Grave në politikbërje dhe shkëmbimin e përvojave në mes të grupeve jo formale të grave në nivel lokal dhe qendror.

Roberta Osmani nga ‘Demokraci Plus’ tha se nga 27 komuna sa i kanë zgjedhur nënkryetaret pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, vetëm dy prej tyre janë gra.

Sipas Luljeta Demollit, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, pabarazia gjinore shihet në çdo nivel të qeverisjes në Kosovë.

“Po e realizojmë një hulumtim se çka mendojnë vajzat e reja për përfshirjen në politikë. Që nga vendosja e kuotës është menduar se do të zgjidhet çështja e barazisë gjinore. 72 Zëvendësministra janë vetëm dy prej tyre janë gra. Kjo është për t’u dënuar”, tha Demolli.

Deputetja nga Vetëvendosje, Shqipe Pantina, tha se ekziston “pabarazi mes gjinive” kur bëhet fjalë për përfshirje në jetën publike dhe vendimmarrje jashtë familjes.

“Në këtë legjislaturë ne ende nuk e kemi konstituuar Grupin Joformal të Grave… Në legjislaturën e kaluar kam qenë e zhgënjyer sepse ne duhet të jemi zëri për të drejtat e grave jashtë Kuvendit”, tha ajo.

Pantina bëri kategorizimin e grave të angazhuara në politikë.

“Në politikë ekzistojnë dy lloje të grave: janë ato që besojnë në një kauzë, ideologji e të tjera dhe janë një grup tjetër që janë futë në politikë që të avancohen dhe për këtë arsye u përshtaten liderëve. Unë besoj që i takoj grupit të parë”, tha ajo.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku- Rexhepi, e cila deri vitin e kaluar ka qenë kryesuese e Asamblesë Komunale në Gjilan tha se gratë “nganjëherë pritojnë që të insistojnë” në çështje që janë në interes të të drejtave të tyre.

“Zakonisht gratë rrinë pas liderit dhe pajtohen me atë që i jepet nga partia. Ne gratë duhet të bëhemi bashkë dhe njëzëri t’i kërkojmë të drejtat tona.”, tha Bunjaku- Rexhepi.

“Është e vërtetë që Kryetarët e Komunës janë bosa sepse këtë ua ka leju ligji dhe kanë kompetenca jashtëzakonisht të mëdha”, tha ajo.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, tha s ekjo ministri ua ka rikujtuar kryetarëve të komunave obligimet për ta respektuar barazinë gjinore.

“Ne u kemi shkruar një letër të gjithë Kryetarëve të Komunave duke ua rikujtuar obligimet ligjore. Në këtë legjislaturë kemi pesë kryesuese dhe dy nënkryetare. Deri më sot janë emëruar drejtorët në 20 komuna kemi 32 gra”, tha ajo.

Edhe Vesna Stajiq nga Komuna e Novobërdes përmendi mosangazhimin e vetë gruas.

“Nëse gruaja nuk është mjaft depërtuese, e ka problem shtyrjen përpara të çështjeve. Është dekurajuese që vetëm kuota e siguron pjesëmarrjen e grave në politikbërje”, tha Stajiq.