Arkiv - Blerim Isufaj duke iu drejtuar gazetarëve | Foto: KALLXO.com

Kundërthënie mes Blerim Isufajt dhe Aleksandër Lumezit për Luftën Kundër Korrupsionit

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media në të cilin ka prezantuar të arriturat dhe sfidat në të cilat ka kaluar Këshilli gjatë vitit 2017.

Ndryshe nga diskutimi i djeshëm në Këshill, në të cilën Kryeprokurori i Shtetit Lumezi kishte kritika për prokurorët në luftimin e korrupsionit, Isufaj vlerësoj se ka pasur efikasitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet të dukshëm në trajtimin e rasteve të korrupsionit”, tha Isufaj, megjithëse shtoi se statistikat për tremujorin e fundit të vitit ende nuk janë raportuar.

Sipas raportit të prezantuar nga Isufaj, 381 kallëzime penale janë pranuar në nëntëmujorin e parë të vitit 2017 dhe janë proceduar 321 kallëzime penale apo 84.25%.

Në raportin e prezantuar nga Isufaj, mungonin 427 lëndët e bartura nga viti 2016.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit, prokurorja Laura Pula gjatë prezantimit të raportit tha se “nga 308 lëndë sa i kanë pasur në punë, prokurorët kanë zgjidhur 321, përderisa u kanë mbetur pa zgjidhur 487 lëndë.

Kryeprokurori i Shtetit Lumezi pati kritika për rezultatet e dobëta të prokurorëve në luftimin e veprave të korrupsionit, duke iu referuar këtyre statistikave të raportit.

Ndërkaq, në përgjigje të këtyre kritikave, Isufaj deklaroi se janë të vetëdijshëm që ka ende punë në luftën kundër korrupsionit.

“Kryeprokurori dhe anëtarët e Këshillit në vazhdimësi kërkojnë më shumë në luftën kundër korrupsionit dhe se ne jemi të vetëdijshëm që puna ende nuk është kryer. Por, këto statistika janë zyrtare dhe reflektojnë gjendjen reale”, u përgjigj Isufaj, në pyetjet e gazetarëve.

Gjatë prezantimit të të arriturave, Isufaj numëroi vendimet disiplinore të shqiptuara ndaj prokurorëve për shkelje disiplinore.

“Këshilli gjatë vitit 2017 ka pranuar 6 raste të reja, kurse ka shqyrtuar 14 raste përfshirë edhe ato të trashëguara”, tha Isufaj dhe shtoi se janë shqiptuar masa të qortimit dhe zvogëlimit të përkohshëm të pagës për prokurorët e gjetur fajtorë.

Megjithatë, Isufaj mohoi nëse ndonjëra nga këto procedura disiplinore ndërlidhej me ndonjë dyshim për raste të korrupsionit.

Kryesuesi Blerim Isufaj ka vlerësuar rekrutimin e 21 prokurorëve të rinj, me të cilët janë plotësuar vendet e nevojshme me prokurorë.

Si sukses, Isufaj ka vlerësuar edhe integrimin e 13 prokurorëve të komunitetit joshumicë në veri.

“Ky proces ka shënuar edhe fillimin e punës normale të kësaj prokurorie e cila që nga viti 2008 punonte në kushte shumë të rënda”, shtoi Blerim Isufaj në adresimin e tij vjetor para mediave.