Pamje nga një seancë e kaluar e gjykimit të Granit Elshanit - Foto: KALLXO.com

Kundërshton EULEX, Elshanët Kanë Avokat një Ish-Prokuror

Ai kishte ngritur aktakuzë kundër disa anëtarëve të familjes Kelmendi.

Prokurori i EULEX-it, Andrew Hughes, konsideroi se në rast të mospërjashtimit të mbrojtësit Dodaj nga kjo çështje penale do të kishte konflikt interesi.

“Duke pasur parasysh se aktakuza e ngritur nga Prokuroria e EULEX-it dhe ajo e ngritur nga ish-prokurori Ndrecë Dodaj janë shumë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe pasi që njëri prej dëshmitarëve kryesor, Xhevdet Kelmendi, ka qenë subjekt i aktakuzës së dorëzuar e po ashtu edhe i ndjeri Valdet Kelmendi, i cili në rastin tonë është i dëmtuar, si dhe duke pasur parasysh që mbrojtësi Dodaj ishte i përfshire në një rast të vrasjes së mëhershme në cilësinë e prokurorit, konsideroj që me shumë mundësi do të kishim konflikt interesi”, tha prokurori Hughes.

Avokati Dodaj konsideroi se nuk ekziston ndonjë konflikt interesi në rastin në fjalë dhe se do të parashtrojë ankesë kundër vendimit mbi përjashtimin e tij.

“Jam në dijeni për ekzistimin e mundshëm të konfliktit të interesit në ketë çështje penale mirëpo dua të theksoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me një çështje krejt tjetër penale dhe nuk ka të bëjë asgjë me çështjen e cila po shqyrtohet sot. Unë iu kam referuar edhe dispozitave ligjore kur kam vendos të kyçem si mbrojtës në ketë çështje dhe pasi që kam interpretuar dispozitat ligjore në rastin konkret kam parë që kemi të bëjmë me dy çështje të ndryshme penale sepse të pandehur kanë qene persona të tjerë për një vepër tjetër si dhe viktimë ka qenë krejt dikush tjetër në atë rast. Po ashtu, do të parashtroj ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtine me qëllim që të bindem se a ka konflikt interesi”, tha Dodaj.

Granit Elshani po akuzohet nga Prokuroria e EULEX-it  për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Në aktakuzë thuhet se Graniti i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila ka qenë në gjakmarrje me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Siç e përshkruan prokurori, në konfliktin mes këtyre dy familjeve kanë ndodhur 29 sulme, të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve, siç përshkruan prokurori, janë plagosur 38 persona, prej të cilëve pesëmbëdhjetë nga familja  Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

KALLXO.com vazhdimisht ka raportuar për rastin e Granit Elshanit që nga momenti i dorëzimit të tij në Polici.

http://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

http://kallxo.com/30-dite-paraburgim-per-granit-elshanin/

http://kallxo.com/historia-e-konfliktit-elshani-kelmendi-qe-la-23-te-vrare/