Konferenca rreth mbylljes së materniteteve - Foto: KALLXO.com

Kundërshtohet Mbyllja e Materniteteve

Shoqata e Mamive të Kosovës në bashkëpunim me Rrjetin e Grave në Kosovës ka organizuar sot një konferencë gjatë të cilës është diskutuar rreth mbylljes së materniteteve në Kosovë.

Edona Hajrullahu, përfaqësuese nga Institucioni i Avokatit të Popullit, tha se është shumë e nevojshme që gjysma e popullsisë e cila përbëhet nga gratë të ketë një trajtim të duhur dhe të merren parasysh nevojat e tyre.

“Gratë shtatzëna duhet të trajtohen në mënyrë efikase pasi që kujdesi për gratë përbënë një hallkë të rëndësishme. Duhet të informojmë dhe inkurajojmë gratë që të kërkojnë shërbime nga maternitetet”, tha Hajrullahu.

Ajo shtoi se Avokati i Popullit ka përgjegjësinë që të pranojë dhe të hetojë ankesat e secilës grua që i janë shkelur të drejtat.

Ndërsa Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se gjatë takimin me ministrin e Shëndetësisë kanë marrë shumë premtime që mbyllja e materniteteve nuk do të lejohet.

Kështu u zotua edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, i cili tha se Ministria e Shëndetësisë do të përkrahë në mënyrë që maternitetet të mos mbyllen por të jenë në funksion.

Ndërsa kryetarja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Besa Baftiu, tha se edhe Qeveria gjithmonë thotë se shëndetësinë do ta kemi prioritet por po e shohim gjendjen në të cilën gjendemi.

“Ne si Komision çështjen e mbylljes së materniteteve do ta diskutojmë prapë sepse ne jemi shumë të interesuar për të pasur maternitete dhe unë si kryetare do ta ngrisë këtë çështje”, tha ajo.

Në këtë diskutim u kërkua po ashtu që Qendrat e Mjekësisë Familjare të kenë gjinekolog.

Ramadan Jashari, drejtor i QKMF-së në Dragash, theksoi se është hapur tri herë konkurs për një pozitë të gjinekologut në këtë qendër por kjo pozitë ende është e lirë.

Ai po ashtu kërkoi që të mos ketë numër të madh të gjinekologëve në spitale të qyteteve ndërsa QKMF të funksionojë pa asnjë gjinekolog.