Kundërshtimi i Privatizimit të Kino-Teatrit i Shkon AKP-së

6056 nënshkrime të qytetarëve të Pejës kundër privatizimit të Kino-Teatrit “Jusuf Gërvalla” do t’u dorëzohen Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Komunës së Pejës.

Kjo u bë e ditur përmes një konference për media nga organizata “Anibar” të mbajtur në hapësirat e kino-teatrit.

“Nënshkrimet i janë drejtuar Kuvendit Komunal të Pejës, Kryetarit të Komunës edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, tha ai.

Përveç dorëzimit të nënshkrimeve te këto institucione, Sanaja tha se 70 organizata joqeveritare kanë dalë me një deklaratë të përbashkët kundër privatizimit të Kino-Teatrit “Jusuf Gërvalla” dhe pro revitalizimit të tij për qytetarët e Pejës.

Sanaja tregoi se organizatat që kundërshtojnë privatizimin e kino-teatrit janë takuar me përfaqësues të AKP-së dhe komunës.

“Ne kemi pasur një takim me AKP-në dhe komunën, ku ata kanë treguar gatishmërinë për me ndal ketë proces për me kthy kinemanë prapë qytetit, por duhet të ketë veprime konkrete të cilat i vërtetojnë deklarimet verbale të zyrtarëve si komunalë dhe gjithashtu të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,” tha drejtori i “Anibar”-it Sanaja.

Ai deklaroi se u është premtuar që do të ketë marrëveshje mes komunës dhe AKP-së që kino-tetri të mos privatizohet.

“Ata kanë thënë që sot do ta kemi një deklaratë të shkuar edhe një marrëveshje mes komunës dhe AKP-së. Ne ende nuk kemi marrë diçka të tillë, prandaj shpresojmë që këto veprime të përshpejtohen nga ana e AKP-së dhe komunës  pasi që ne veç kemi filluar planin e rivitalizimit të kinemasë”, tha Sanaja.

Në një komunikatë të AKP-së u bë i ditur takimi i zyrtarëve të saj me kryetarin e komunës dhe organizatat e shoqërisë civile që kundërshtojnë privatizimin.

“Vendosja e ndërmarrjes për shfaqjen e filmave në likuidim nuk do ta pengojë fare vazhdimin e të gjitha aktiviteteve kulturore dhe artistike në kuadër të kinemasë në Pejë”, thuhet në komunikatë.

Komunikata sqaron se së shpejti do të ketë marrëveshje rreth koine-teatrit me Komunën e Pejës.

“Gjatë ditëve në vijim AKP dhe Komuna e Pejës do të dalin me një marrëveshje të përbashkët e cila garanton se deri në përfundim të procesit  gjyqësor  dhe vendimit përfundimtar të gjykatës mbi pronësinë e asetit të Kinemasë në Pejë, ky aset nuk do të tjetërsohet në asnjë formë”, thuhet në komunikatë.

Më 19 mars KALLXO.com shkroi për mbledhjen e 1 mijë nënshkrimeve për pesë orë në Pejë kundër privatizimit të kino-teatrit.

http://kallxo.com/1000-nenshkrime-per-5-ore-kunder-privatizimit-te-kino-teatrit/

Edhe kino “Lumbardhi” në Prizren është përballur me rrezikun e privatizimit.

Mirëpo, pas presionit të shoqërisë civile AKP e kishte hequr përkohësisht këtë objekt me rëndësi kulturore nga lista e vet e shitjes.

Për këtë çështje ishte diskutuar në emisionin “Jeta në Kosovë“ në prill të vitit 2015.