Nderimi për të vrarët e 14 prillit 1999 | Foto: Komuna e Mitrovicës

Kujtohen 31 të Vrarët e Lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë

Në 19 vjetorin e vrasjes janë kujtuar 31 të vrarët në Lagjen e Kovaçëve të Mitrovicës.

Sipas një komunikate të Komunës së Mitroicës, nënkryetari Faruk Mujka me bashkëpunëtorë kanë vendosur lule në vendin e vrasjes dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.

Komuna në komunikatë tregon se atëherë u vranë 31 persona që u nxorën nga shtëpitë dhe banesat e tyre.

“Institucionet e vendit kanë obligim ndaj martirëve të kombit, sepse pa gjakun e tyre, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur”, tha Mujka, sipas komunikatës.

Nënkryetari gjithashtu deklaroi se drejtësia duhet të vihet në vend.

“Drejtësia pritet që më në fund të thotë fjalën e vet për këtë masakër, duke i dënuar kryesit e veprave makabre me burgim të merituar”, tha Mujka.

Lideri i serbëve kosovarë Oliver Ivanoviq akuzohej për urdhërim të vrasjeve të shqiptarëve më 14 prill 1999 gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s.

Akuzat ndaj tij janë tërhequr, pasi Ivanoviq u vra më 16 janar.