Kujtimi për Birin e Vrarë Para se të Diplomonte në Fakultet

Vetëm 4 ditë pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATOS-së, më 28 Mars të 1999, Ushtria dhe Policia serbe kishin depërtuar thellë në zonat e Drenicës, në fshatin Izbicë, ku kishin vrarë e masakruar 147 civilë shqiptarë.

I mbijetuari i masakrës së Izbicës, Milazim Thaçi, tha për KALLXO.com se ka dëshmuar në tre gjykime në Hagë, por thotë se nuk është i kënaqur me shqiptimet e dënimeve që u janë dhënë.

“Unë kam qenë këtu, vet i treti kam shpëtu, këtu buzë mali edhe nuk jam bash i kënaqur. Ushtria jonë, ata që kanë luftu në shpijat tona, ata janë nëpër burgje. Kam dëshmuar kundër Slobodan Milloshevicit në 2002, në 2006 Millutinoviqit, në 2009 tek komandanti të Policisë, Vlastimir Djordjevic dhe cfarë dënumi, ka 20 vjet ja kanë dhënë, ato s’jonë kurgjo”, rrëfeu Baci Milazim nga fshati Burojë i Drenicës.

Ndërsa Zoja Osmani, një nënë që e ka të humbur djalin e saj 24 vjeçar, kishte dalë sot në varrezë për të kujtuar atë, që kishte vetëm edhe një provim para se të diplomonte në Juridik.

“M’ka thanë, Nane, ktheu e mos u mërzit, se dasëm pa mish nuk ka. Kurgjo s’është, vendi ka me u çliru, e ka me u ba mirë. Tani të nesërmit ma kanë vra. Djalin 24 vjet e kom pas në fakultet, Juridikun edhe një provim me diplomu. Qetu ma prunen, çka me i ba, s’ke çka ban”, tha kjo nënë që qëndronte para varrit të djalit të saj.

I pranishëm në këtë manifestim përkujtimor ishte edhe kreu i Kuvendit, Kadri Veseli i cili tha që kurrë më Kosova nuk do të përjetoj ngjarje të tilla.

“Ky është çmimi i lirisë sonë, një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore që nga foshnjat e deri tek njerëzit e palëvizshëm. Kurrë ma nuk do të lejojmë që në tokën tonë të ndodhë diçka e tillë”, tha Veseli.

Gjatë këtij manifestimi pat edhe pika artistike, ku u shfaqë një dramë e bërë nga drejtoria për Kulturë e Komunës së Skenderajt.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin të pranishëm edhe zyrtarë të Komunës së Skenderajt, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.