Kthehet në Rivlerësim Tenderi për Ushqimin e Policisë

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer në rivlerësim tenderin për shërbime hoteliere për Policinë e Kosovës, duke miratuar kështu ankesën e kompanisë “Shqiponja”.

Policia e Kosovës kishte hapur këtë tender më 18 mars, ndërsa si kriter ishte çmimi më i ulët. Mirëpo, ky tender pas vlerësimit të ofertave ishte anuluar nga Policia e Kosovës, e kjo kishte bërë që kompania “Shqiponja” të parashtronte ankesë në OSHP.

Me qëllim të dëgjimit të pretendimeve të palëve, OSHP kishte mbajtur seancën dëgjimore, ku përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Abdurrahman Qunaku dhe ai i kompanisë “Shqiponja”, Bedri Nika, kishin paraqitur qëndrimet e tyre.

Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës gjatë seancës dëgjimore tha se tenderin e kishin  anuluar me arsyetimin se specifikat nuk kanë qenë të definuara si duhet si dhe çmimet e ofruara nga kompania nuk kanë qenë askund reale me çmimin e tregut.

Në këtë drejtim, ai si shembull kishte përmendur çmimin e fasules me mish, që kompania e kishte ofruar si 250 gramë mish viçi dhe sallatë 150 gramë me çmim prej 1.10, ndërsa çmimet e tregut për një kilogram mish janë 6.99 euro për kilogram.

Ankesa nga Policia e Kosovës për çmim jonormal të ulët kishte edhe në pica, ku përfaqësuesi i saj në seancën dëgjimore të OSHP-së tha se nuk janë specifikuar sasia e kaçkavallit, mishit të pulës apo proshutës, porse ishte caktuar vetëm se pica e vogël do të kushtojë 50 centë.

Gjithashtu, Policia e Kosovës përmend edhe mungesën e sigurimit të objektit nga ndonjë fatkeqësi e që operatori i kaluar e ka pasur në vlerë prej 1 milion euro. Policia pranon se ka ndodhur gabim që nuk është kërkuar ky specifikacion.

Lidhur me këto pretendime, eksperti i autorizuar nga OSHP deklaroi se ankesat për çmimet jonormal të ulëta të ofruara nuk është përmendur në njoftimin për anulimin e tenderit por janë ngritur vetëm në seancën dëgjimore.

Në seancën dëgjimore, përfaqësuesi i kompanisë “Shqiponja” tha se e mbështet mendimin e ekspertit dhe nuk ka se çfarë të shtojë më shumë porse qëndron prapa ankesës së kompanisë.

Pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, paneli shqyrtues i OSHP-së vendosi që kompania “Shqiponja” kishte ofertuar në pajtim me dosjen e tenderit dhe se pretendimi i autoritetit kontraktues, në këtë rast Policisë së Kosovës, nuk është në harmoni me Ligjin e Prokurimit dhe për këtë arsye e kthen tenderin në rivlerësim.