Kthehet në Rigjykim Rasti i Ish-Prokurores Badivuku

Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e ish-prokurores së Mitrovicës, Vahide Badivuku, ka kthyer rastin në rigjykim.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Vahide Badivukut, Ramë Dreshaj.

“Sipas informatave që i kam pranuar nga gjykata, rasti është kthyer në rigjykim”, tha Dreshaj.

Prokurorja Badivuku ishte dënuar me 3 vjet burg për marrje të ryshfetit në prill të vitit të kaluar, ndërsa më pas i ishte vërtetuar dënimi nga Gjykata e Apelit.

Ndaj këtij vendimi, mbrojtja e Badivukut ishte drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me ecurinë e gjykimit të ish-prokurores  Badivuku.