Gjykata e Apelit. Foto: KAllxo.com

Kthehet në Rigjykim Procesi për Vrasjen në Gadime

Arian Agushi, i akuzuari kryesor për vrasjen e R. Demirit, ishte dënuar me 19 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë në akuzat për vrasje të rëndë, armëmbajtje pa leje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Mentor Agushi ishte dënuar me 14 vjet e gjysmë burg ndërsa Shpend e Xhezair Agushi me nga 5 vjet burg.

Por pasi ka vlerësuar pretendimet e avokatëve mbrojtës por edhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit tha se ka gjetur se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, sikur që është tejkalimi i aktakuzës.

“Po ashtu  gjykata e shkallës se parë ka shkelur dispozitat e procedurës penale edhe kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor secilin veç e veç për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim dhe shfrytëzim të pa autorizuar të armëve”, ndonëse prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale për veprën në fjalë, në fjalën hyrëse.  Prandaj aktgjykimi i shkallës se parë domosdoshmërish është dashur të anulohet”, thuhet ën komunikatën e Gjykatës së Apelit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë akuzonte Arian, Mentor, Shpend dhe Xhezair Agushin se kanë kryer së bashku vrasjen e R.Demirit më 12 prill 2012 në fshatin Gadime e Epërme të Komunës së Lipjanit.

Arian, Mentor e Shpend Agushi janë vëllezër, ndërsa Xhezair Agushi xhaxhai i tyre.

KALLXO.com e ka përcjellë procesin gjyqësor lidhur me këtë rast. Dosja e këtij procesi gjendet në këtë link.