Salla e mbledhjeve | Foto: Kuvendi i Kosovës

Kthehet në Komision Projektligji për Arsimin e Lartë

Deputetët e Kuvendit kthyen në Komisionin për Arsim Projektligjin për Arsimin e Lartë, me arsyetimin se atij i duhen ndryshime dhe plotësime.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit, në të cilën në rend dite janë 16 pika, kthimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë në komision e kërkoi deputeti Nait Hasani.

Hasani tha se ky projektligj ka qenë në komision para më shumë se një viti dhe ka kaluar kohë e gjatë dhe duhen ndryshime tjera.

Me gjithë kundërshtimet nga opozita, me 42 vota për, 22 kundër e 2 abstenime, projektligji u largua nga rendi i ditës.

Në vitin 2014 Projektligji për Arsimin e Lartë nuk kaloii në Kuvend për mungesë kuorumi, ndërsa një vit më vonë ai nuk u diskutua në qeveri për shkak të vërejtjeve të Listës Serbe.

Më pas u fut në rend dite Projektligji për Shoqëritë Tregtare.

“Ish kanë mirë me fut sot në rend dite, por nuk është vonë as nesër”, tha deputeti propozues Muhamet Mustafa.

“Naim Frashëri na ka msu që punën e sotit mos me lanë për nesër”, ia ktheu kryeparlamentari Kadri Veseli.

Kështu ky projektligj që siç tha Mustafa ‘e bën një avancim në mjedisin biznesor’,  me 50 vota për 9 kundër e 9 abstenime, u bë pjesë e rendit të ditës.