array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=6"
  }
}

Foto:president-ksgov.net

Tërheqjet Speciale të Thaçit, Veseli e Haradinajt

Deklarata

Haradinaj, Veseli dhe Thaçi: ‘Reflektim i realitetit…mësim për të gjithë…Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohen”.

Haradinaj, Veseli dhe Thaçi

Vlerësimi

Qëndrim i ndërruar

Hashim Thaçi ka paraqitur qëndrime të ndryshme për Gjykatën Speciale. Në 2015 kishte rolin kryesor në bindjen e deputetëve për të votuar ndryshimet kushtetuese për të mundësuar formimin e Gjykatës Speciale. Pas ngjarjeve të 22 dhjetorit ai kishte deklaruar se nisma e deputetëve ishte legjitime dhe se ai do të respektonte mendimin e deputetëve. E kjo nismë buronte nga deputetet e PDK-së, të cilës i kishte prirë Thaçi për 16 vjet. Fakti që gjysma e deputetëve nismëtarë ishin nga PDK-ja dhe se Veseli ishte treguar i gatshëm që në mënyrë urgjente të procedonte nismën për shfuqizimin e speciales e bën atë përkrahës të kësaj nisme. Pro nismës ishte deklaruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Por viti i ri, tre liderëve u solli edhe qëndrime të reja. ‘Reflektuan’ njëri pas tjetrit. I pari ishte kryeparlamentari, Kadri Veseli. Në letrën e tij të 8 janarit, ai tha se Specialja do të ndodhë. Tri javë më vonë u tërhoq edhe presidenti, Hashim Thaçi. Ai tha se “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohen dhe as nuk do të shfuqizohet”. Në të njëjtën ditë, pas Presidentit u tërhoq edhe Kryeministri. Madje Ramush Haradinaj tha se kjo nuk është tërheqje, por reflektim. Reflektimi i tyre ndodhi pas shumë presioneve që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe vendet e BE-së. Prandaj “Krypometri ka vërejtur NDRYSHIM QËNDRIMI te këta tre liderë.

Artikulli

Në natën e 22 dhjetorit, treshja Thaçi-Veseli-Haradinaj, ishin bashkë për shfuqizimin e Speciales. Kjo natë u quajt ‘nata më e rrezikshme për Kosovën që nga paslufta nga ambasadori në britanik, Ruari O’Connell. Ndërsa ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se shfuqizimi do ta shkatërrojë të ardhmen e Kosovës.

Në listën e deputetëve që kanë kërkuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka më së shumti deputetë të PDK-së (19), parti e drejtuar nga vetë Kadri Veseli, si dhe deputetë të AAK-së (10), NISMA-s (6), një i AKR-së dhe komuniteteve pakicë.

Natën e 22 dhjetorit ishte dita kur u votuar buxheti i vitit 2018. Menjëherë pasi përfundoi seanca për buxhetin, kreu i kuvendit Kadri Veseli mbodhi kryesinë për të shqyrtuar kërkesën e deputetëve për shfuqizimin e Speciales.

Nismëtar për mbledhjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e speciales ishte deputeti i PDK-së, Nait Hasani dhe pothuajse gjysma e deputetëve nënshkrues janë nga PDK-ja, 19 nga 43.

Kryesia u mblodh dy herë gjatë asaj nate për shqyrtimin e nismës së deputetëve për ta proceduar një ligj me një faqe që e anulonte ligjin për Gjykatën Speciale. Herën e parë në orën 19:00, por u shty për në ora 21 në mungesë të kuorumit. Në mes të orës 19 dhe 21, kishte deklarata të ambasadorëve të vendosur në Kosovë për rrezikun e kësaj nisme. Edhe mbledhja e kryesisë e thirrur për në ora 21:00 dështoi në mungesë të kuorumit. Në mbledhje munguan përfaqësuesit e LDK-së, VV-së dhe Listës Serbe.

“Ka mungesë kuroumi, dëshiroj ta rikonfirmoj nëse nuk kemi kuorum nuk mund ta dërgojmë në qeveri, nuk shkojmë në mbajtjen e seancën ditën e sotme”, tha Veseli.

Madje Veseli fajësoi përfaqësuesin e VV-së, që siç tha ai, kishte kërkuar që mbledhja e orës 19:00 të shtyhet për 21:00 për ta bërë kuorumin, por ata nuk kishin ardhur.

Të nesërmen u deklarua edhe i pari i qeverisë, i cili natën e 22 dhjetorit i shkoi në takim edhe presidentit Hashim Thaçi.

“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imazhin e vendit”, tha Ramush Haradinaj më 23 dhjetor 2017.

“Ato procese gjyqësore duhet të zhvillohen në Kosovë e jo në Speciale. Prandaj as nuk e kemi votuar këtë gjykatë. Tani dallim i vetëm është se jam kryetar qeverie dhe pikëpamjet politike nuk ndryshojnë”, tha lideri i AAK-së.

“Obligimet e qeverisë i marrim nga Parlamenti. Nëse ai vendos ndryshe ne i zbatojmë, respektojmë vendimin e të zgjedhurve të popullit. Vendimet e parlamentit janë urdhër për neve”, përfundoi shefi i qeverisë.

Për shfuqizimin Dhomave dhe Prokurorit të Specializuar u deklarua edhe presidenti Hashim Thaci.

“Është iniciativa që nuk duhet dramatizuar as nënvlerësuar. Nisma e rreth 50 deputetëve është plotësisht ligjore që nuk e sfidon drejtësinë, por kërkon një alternativë dhe si e tillë duhet shikuar në rrafshin me serioz, më të përgjegjshëm dhe jo nga prizmi partiak apo i egove të askujt”, deklaroi presidenti Hashim Thaçi më 28 dhjetor për RTK-në.

Por viti i ri, tre liderëve u solli edhe qëndrime të reja. ‘Reflektuan’ njëri pas tjetrit.

I pari ishte kryeparlamentari, Kadri Veseli. Në letrën e tij të 8 janarit, ai tha se Specialja do të ndodhë. Ai natën e 22 dhjetorit e quajti ‘mësim për të gjithë’ e për iniciuesit e nismës tha se dështuan për shkak se nuk ishin të përgatitur dhe serioz.

Tre javë më vonë u tërhoq edhe presidenti, Hashim Thaçi. Më 1 shkurt ai tha se “Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe as nuk do të shfuqizohet”.

Në të njëjtën ditë, pas Presidentit u tërhoq edhe Kryeministri. Madje Ramush Haradinaj tha se kjo nuk është tërheqje, por reflektim.

“Nëse ka një vendim politik që bien kërkesa atëherë edhe për Qeverinë ndryshon situata, duhet ta heqim nga procedimi i mëtejmë. Mendoj se është reflektim i realitetit”, tha ai në KTV.

43 nënshkrimet për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar janë të deputetëve të tri partive politike PKD-AAK dhe NISMA. LDK është kundër shfuqizimit, ndërsa Vetëvendosje tha se përkrah shfuqizimin por ndryshime kushtetuese e jo ligjore.