array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Rrena e Ahmetit për Depolitizimin e Arsimit

Deklarata

Shpend Ahmeti, më 28 shtator të vitit 2013: Shkolla duhet të depolitizohet dhe të ketë autonomi veprimi, ndërsa drejtori i shkollës duhet t’i japë llogari komunitetit që shërben.

Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Vlerësimi

Rrenë

Kjo deklaratë e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dalë të jetë e pavërtetë. Në konkurset e shpallura nga Komuna e Prishtinës janë punësuar aktivistë të Vetëvendosjes apo të afërm të zyrtarëve të Vetëvendosjes. Auditori ka gjetur se katër drejtorë janë punësuar në kundërshtim me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit.

Artikulli

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka realizuar në tërësi zotimin e tij se shkollat e kryeqytetit do të jenë të ndara nga politika.

Në kohën kur ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte deklaruar se shkollat dhe politika nuk do të kishin më lidhje me njëra tjetrën.

Më 28 shtator të vitit 2013, në gazetën ‘Koha Ditore’, Ahmeti kishte thënë shkollat do të kenë autonomi veprimi larg nga politika.

“Shkolla duhet të depolitizohet dhe të ketë autonomi veprimi, ndërsa drejtori i shkollës duhet t’i japë llogari komunitetit që shërben”, tha Ahmeti.

KALLXO.com ka vërtetuar së paku dy raste kur punësimi i stafit akademik dhe jo akademik i shkollës është bërë në baza partiake.

Një raport në KALLXO.com ka ngritur dyshime se një simpatizant i Lëvizjes Vetëvendosje është punësuar në cilësinë e shtëpiakut në Shkollën e mesme “Xhevdet Doda”.

Gjithashtu, një hulumtim i BIRN ka gjetur se në konkursin e Komunës së Prishtinës për mësimdhënës të hapur në gusht të vitit 2016, konkretisht  në konkursin për profesor të psikologjisë në një shkollë të mesme të lartë janë dëshmuar ndikime politike.

Një kandidat që konkurroi për këtë pozitë dhe fitoi konkursin kishte kërkuar intervencë përmes emailit nga daja i tij, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.

Përveç këtyre, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se përzgjedhja e katër drejtorëve të shkollave ishte bërë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativë të Ministrisë së Arsimit.

“Përzgjedhja e drejtorëve në katër shkolla: “Fan Noli”, “Ali Kelmendi”, “Naim Frashëri” dhe “Sami Frashëri”, është bërë në kundërshtim me UA 08/2014 të MASHT, ku kërkohet që kandidatët të kenë përfunduar me sukses një program të akredituar të kualifikimit profesional për udhëheqje, administrim dhe menaxhim. Komuna kishte dështuar të përcaktojë kriterin sipas këtij udhëzimi, edhe pse i njëjti konkurs ishte përsëritur”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës në vitin 2015.

Shkeljet e bëra nga Komuna e Prishtinës, sipas Auditorit, rrezikojnë që të ketë trajtim të pabarabartë të kandidatëve dhe rekrutimin e stafit jo të duhur dhe jo meritor.

“Kryetari të sigurojë se proceset e rekrutimit do të bazohen në kritere të qarta të përzgjedhjes si dhe të demonstrojë transparencë dhe objektivitet me rastin e selektimit të kandidatëve”, thuhet në rekomandimin e Auditorit të Përgjithshëm për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.