array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Foto/Facebook- Thaçi: Do të investohen 500 milionë euro në bujqësi e do të krijohen 50 mijë vende të reja të punës.

Numrat për Papunësinë e Demantojnë Presidentin Thaçi

Deklarata

Hashim Thaçi

Vlerësimi

Rrenë

Thaçi ka thënë se do të krijonte 200 mijë vende të reja të punës për 2 vjet. Në qeverisjen e tij 6 vjeçare, Thaçi nuk ka arritur ta zbusë papunësinë. Shkalla e punësimit ka mbet pothuajse e njëjtë gjatë tërë viteve sa ai ka qenë kryeministër. E për 15 muaj sa ka qenë zv. Kryeministër, 26 mijë njerëz kanë mbet pa punë në Kosovë. Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës, nuk mund të amnistohet për mos-krijimin e vendeve të reja të punës në dy vjetët e fundit pasi për 15 muaj ka qenë zëvendëskryeministër ndërsa partia të cilën e drejtoi deri në prill të këtij viti, PDK, vazhdon t’i udhëheqë dy ministritë kryesore në sektorin e ekonomisë.

Artikulli

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka fryrë premtimin e tij për krijim e vendeve të reja të punës. Thaçi, si kryeministër i Kosovës, disa muaj para zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit 2014 e kishte lansuar projektin e tij “Misioni i Ri”, përmes të cilit premtonte se do të hapte 200 mijë vende të reja të punës gjatë mandatit qeverisës 2014-2018. Tash thotë se për 22 muaj, sikur të ishte kryeministër, do t’i hapte 200 mijë vende të reja të punës.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Thaçi ka tentuar të shfajësohet për mos-krijimin e vendeve të reja të punës me faktin se ai nuk e ka udhëheqë qeverinë.

“Nuk mund ta zbatoj atë projekt kur nuk udhëheq qeverinë. Sikur ta udhëheqja qeverinë, i siguroj qytetarët se një diçka e tillë do të realizohej”, ka thënë Thaçi.

Autorja e emisionit “Jeta në Kosovë”, Jeta Xharra, e ka pyetur se si ka bërë plan t’i krijojë 200 mijë vende të reja të punës, aq sa i ka premtuar në vitin 2014.

Ai është përgjigjur se tashmë (më 20 tetor 2016 është realizuar intervista në Emisionin Jeta në Kosovë v.j), 22 muaj pas krijimit të qeverisë do të krijoheshin 200 mijë vende të reja të punës.

“Bile, ndoshta deri tash edhe do të ishte përmbyllur”, ka thënë Thaçi!

Por, Agjencioni i Statistikave të Kosovës e demanton atë që e thotë Thaçi në intervistën e dhënë në emisionin “Jeta në Kosovë”. Shkalla e punësimit gjatë qeverisjes së Thaçit (2007- 2014) nuk ka ndryshuar në përqindje të madhe. Ndërsa, për 15 muajt sa Thaçi ka qenë zv. kryeministër, Agjencia e Statistikave thotë se 26 mijë persona kanë qenë më pak të punësuar se sa në vitin paraprak.

Rritja e numrit të të papunëve

Thaçi ka qenë zëvendëskryeministër për 15 muaj në qeverinë Mustafa. Isa Mustafa, si kryetar i LDK-së, në fushatën parazgjedhore kishte premtuar krijimin e 120 mijë vendeve të reja të punës, pjesa dërmuese e të cilëve në bujqësi dhe veprimtari prodhuese. Programi i PDK-së është përfshirë në programin qeveritar të qeverisë që drejtohet nga kryeministri Isa Mustafa. Në program nuk është përmendur në asnjë pik numri i vendeve të reja që do të krijohen.

Shtylla e parë e programit qeveritar është “Zhvillimi Ekonomik, Punësimi dhe Mirëqenia”.

Fondi për Punësim, si premtim kryesor i PDK-së, është pjesë e programit qeveritar (Shih programin qeveritar, fq 17-19), por tash emërtohet “Fondi për Investime dhe Punësim”. Nga ky fond është paraparë përkrahja e financiare për ndërmarrësit e rinj, ndërmarrjet e mesme e madje edhe korporatat. Fondi nuk është bërë asnjëherë funksional.

PDK-ja mban dy nga ministritë kryesore në sektorin e ekonomisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Bujqësia ka qenë një nga premtimet kryesore të Thaçit në fushatën parazgjedhore.

Thaçi kishte premtuar 500 milionë euro investime në bujqësi të cilat do të vinin nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga përkrahja e bizneseve përmes Fondit për Punësim. Me këto investime, Thaçi premtonte se do të krijohen 50 mijë vende të reja të punës për katër vjet.

Me trendin e investimeve në bujqësi, për katër vjet, nuk do të mund të arrihen as gjysma e investimeve të premtuara, pasi që në vit po investohen 43 milionë euro në bujqësi.

Për më shumë, jo që nuk janë hapur vende të reja të punës, por Agjencia e Statistikave të Kosovës, thotë se në vitin 2015 kanë qenë 26 mijë persona më pak të punësuar se sa në vitin 2014. Pra, ka pasur rritje të personave të papunë në vitin 2015, vitin e parë të qeverisë Mustafa.

Të dhënat e ASK-së thonë se shkalla e papunësisë në vitin 2015 ishte 32.9 për qind, apo 145 mijë e 776 persona konsideroheshin si të papunë.

Kurse, në vitin 2014, shkalla e papunësisë ishte më e lartë se në vitin 2015, por jo edhe numri i personave që nuk punonin (176,743 persona).

“Nga 41.6% e popullsisë që është ekonomikisht aktive, 35.3% (176,743 persona) janë të papunë”, thuhet në raportin e ASK-së për vitin 2014.

Pra, të dhënat e ASK-së thonë se në vitin 2015 ka pasur rritje të numrit të personave që nuk punojnë për 30 mijë persona dhe në të njëjtën kohë ka pasur ulje të shkallës së papunësisë.

Kjo ulje fiktive e shkallës së papunësisë është bërë duke e rritur numrin e personave jo-aktivë. Persona jo-aktivë konsiderohen personat të cilët nuk kanë kërkuar punë dhe nuk janë të gatshëm që të punojnë. Jo-aktivë konsiderohet edhe personat të cilët janë lodhur duke kërkuar punë dhe se me rastin e anketimit nuk besonin se mund të gjenin një vend pune.

“Nga 58.4% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive, 18.2% (128,400 persona) nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë”, thuhet në raportin e ASK-së për vitin 2014.

Kurse, në vitin 2015 numri i personave të zhgënjyer ishte rritur.

“Nga 62.4% e popullsisë në moshë pune, që është joaktive, 22.5% (165,700 persona) nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë”, thuhet në raportin e ASK-së për vitin 2015.

Kosova është vendi me nivelin më të lartë të popullsisë joaktive me 59.4%. Në Serbi, në vitin 2015, 48.4% e personave në moshë pune ishin jo-aktivë. Në Mal të zi personat joaktivë përbënin 39.4% të personave në moshë pune, kurse në Shqipëri 38.5%. Vetëm Bosnja e Hercegovina i afrohen Kosovës me nivel të joaktiviteti me 56.3 për qind.

Lëvizja e shpeshtë e numrit të personave joaktivë ndikon direkt në shkallën e papunësisë, në uljen apo rritjen e saj. Mirëpo, këto lëvizje që bëhet me numrin e personave joaktivë nuk mund ta ndikojnë në numrin e personave që llogaritet se janë të punësuar.

Të dhënat e ASK-së thonë se në vitin në vitin 2015 kanë qenë të punësuar 296 mijë e 940 persona.

“Nga 37.6% e popullsisë, që është ekonomikisht aktive…, 67.1% (296,940) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 25.2%”, thuhet në Anketën e Fuqisë Punëtore për vitin 2015, të bërë nga Agjencia e Statistikave.

Krahasimi i numrit të punëtorëve në vitin 2014 dhe 2015 rezulton se 26 mijë persona e kanë humbur vendin e tyre të punës në vitin 2015.

“Nga 41.6% e popullsisë që është ekonomikisht aktive…, 64.7 % (323,508) e personave ekonomikisht aktivë janë të punësuar, duke krijuar një raport punësimi ndaj popullsisë (shkalla e punësimit) prej 26.9%”, thuhet në raportin e ASK-së për tregun e punës të vitit 2014.

Shifrat sipas qejfit

Të dhënat për numrin e vendeve të reja të punës dhe shkallën e papunësisë nuk janë në favor të Thaçit as për periudhën sa ai ka qenë kryeministër (2007-2014).

Statistikat e prodhuara nga Agjencia e Statistikave në vazhdimësi janë kontestuar nga ekspertët, partitë opozitare, e ndonjëherë edhe nga vetë qeveria e Kosovës. Por, ASK-ja është i vetmi institucion që prodhon statistika të cilave u referohen institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore.

Statistikat e papunësisë janë prodhuar që nga viti 2001. Deri në vitin 2012, ASK-ja nuk ka qenë në gjendje të tregojë se sa persona kanë qenë të punësuar brenda një viti për shkak të mos-regjistrimit të popullsisë. Anketat janë bazuar nën supozimin se numri i popullsisë ka qenë 2.1 milionë banorë rezidentë.

Në vitin 2007, shkalla e papunësisë në Kosovës, sipas ASK-së, ka qenë 43.6 për qind. Ndërsa, shkalla e punësimit në të njëjtin vit ka qe 26 për qind. Në të njëjtin vit, ASK-ja thotë se më se 70 për qind e qytetarëve në moshë pune kanë qenë joaktivë.

Në vitin e parë të qeverisjes së Thaçit si kryeministër shkalla e papunësisë ishte rritur në 47.5 për qind. Kurse, në vitin e dytë të qeverisë Thaçi papunësia e regjistruar ishte 45.4 për qind.

Agjencia e Statistikave nuk ka prodhuar statistika për nivelin e papunësisë për vitet 2010 dhe 2011. E statistikat e prodhuara në vitin 2012 kanë një ndryshim të madh në përqindje sa i përket dy faktorëve: Shkallës së Papunësisë dhe pjesëmarrjes në fuqi punëtore.

Në vitin 2012, pjesëmarrja në fuqi punëtore ka qenë për 11.2 pikë të përqindjes më e ulët se ajo e regjistruar në vitin 2009. Gjithashtu, shkalla e papunësisë ka qenë për 14.5 pikë të përqindjes më e ulët në vitin 2012 krahasuar me vitin 2009. Për shkak të ndryshimit të metodologjisë së matjes së shkallës së papunësisë, ASK-ja e ka rritur numrin e personave joaktivë (që nuk konsiderohen as të punësuar e as të papunë) dhe e ka ulur shkallën e papunësisë.

Të dhënat e publikuara nga ASK-ja thonë se shkalla e papunësisë në vitin 2012 ka qenë 30.9 për qind dhe të papunë janë llogaritur 135 mijë persona. Në të njëjtin vit, ASK-ja thotë se të punësuar kanë qenë 25.6 për qind e qytetarëve në moshë pune, apo 302 mijë persona. Në vitin 2012 nuk është publikuar shkalla e jo-aktivitetit.

Në vitin 2013, niveli i punësimit është përmirësuar, pasi 338 mijë persona konsideroheshin të punësuar krahasuar me vetëm 302 mijë sa ishin në vitin 2012. Niveli i papunësisë kishte rënë në 30 për qind, apo shprehur në numra i bie që 144 mijë persona në moshë pune kanë qenë të papunë. Përkundër të uljes së shkallës së papunësisë, ASK-ja thotë se në vitin 2013 kanë qenë 9 mijë persona më shumë të papunë se sa që ishin në 2012.

Këto të dhëna janë përkeqësuar në vitin 2014, kur ka qenë viti i fundit i qeverisë Thaçi 2. Shkalla e papunësisë në vitin 2014 ka qenë 35.3 për qind, apo një rritje prej 18 për qind krahasuar me vitin 2013. ASK-ja thotë se numri i personave të papunë është rritur në 176 mijë në vitin 2014 nga 144 mijë sa ka qenë në vitin 2013.

Një analizë e veçantë e numrave të papunësisë është bërë bazuar në të dhënat e fundit që janë publikuar nga Agjencia e Statistikave për periudhën janar –qershor 2016. Të njëjtën analizë mund të gjeni më poshtë.

Ulja Fiktive e Shkallës së Papunësisë