‘Muri’ i Rrenave të Kryeministrit

Muri... një vepër e ndyrë e strukturave paralele serbe dhe e Beogradit

Isa Mustafa, Kryeministër, Dhjetor 2016

Rrenë e kryptë

KRYPOMETRI, produkti më i ri i KALLXO.com, ka matur deklaratën e mbrëmshme të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, rreth murit të ndërtuar në Mitrovicën e Veriut.

Ja verdikti:

Isa Mustafa: Muri në pjesën veriore të Mitrovicës, një vepër e ndyrë e strukturave paralele serbe dhe e Beogradit. Murin e trajton dhe e rrënon ligji.

“Kryeministri i thotë tri të pavërteta në deklaratën e tij: Ia huqë emërtimit zyrtar të komunës së Mitrovicës së Veriut, mënyrës së financimit dhe zbatimit të ligjit”.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Muri që ka nisur të ndërtohet javën e kaluar, ndodhet në Mitrovicën e Veriut e jo në pjesën veriore të Mitrovicës.

Mitrovica e veriut është komunë e themeluar sipas planit të Ahtisaari-t me të cilin u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008. Që nga viti 2013, Mitrovica e veriut e ka një kryetar të zgjedhur me zgjedhje të lira të organizuara nga REPUBLIKA E KOSOVËS. Pra muri po ndërtohet në komunën e Mitovicës së Veriut e jo në pjesën veriore të Mitrovicës, një term relikt i kohës së UNMIK-ut që tregonte për ndarjen e qytetit në vija etnike.

“Vepër e ndyrë e strukturave paralele serbe”. Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së veriut, ka deklaruar se muri financohet nga Qeveria e Serbisë, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë, e jo nga strukturat paralele. “Jemi duke folur për projektin që kemi bërë marrëveshje në Bruksel. Një pjesë të projektit sa i përket urës do ta financojë Bashkimi Europian, kurse pjesën tjetër Republika e Serbisë. Për momentin, sa i përket këtyre projekteve nuk është shkaktuar asnjë dëm,” tha Rakiq.

“Murin e trajton dhe e rrënon ligji”. Isa Mustafa gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës së Prishtinës nuk siguroi zbatimin e ligjit për ndërtimet, toleroi ndërtimin e 36 objekteve pa leje nga të cilat kompanitë e ndërtimit përfituan 28 milionë euro. Fjala është vetëm për një rast për të cilin inspektorët ndërtimorë janë duke u përballur në gjyq. Ai nuk arriti që në Prishtinë të ndalë ndërtimet pa leje.

‘Muri’ i Rrenave të Kryeministrit

by Kreshnik Gashi
NA NDIQNI