KRYPOMETRI: ‘Abuzimi Arrogant me Pushtetin’

Muj me ju thanë se nuk është pare e humbur e buxhetit të vendit për shkak se dinamika është ndryshe

Ramush Haradinaj, Nëntor 2017

Rrenë

Ramush Haradinaj: Muj me ju thanë se nuk është pare e humbur e buxhetit të vendit për shkak se dinamika është ndryshe

Vlerësimi: Kosova ka numrin më të madh të ministrive krahasuar me vendet e rajonit. Përveç kësaj, Haradinaj ka emëruar numër rekord të zëvendësministrave. Janë emëruar 5 zëvendësministra në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe 6 zëvendësministra në Ministrinë e Punës. Siç ka thënë Haradinaj: “Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një Zëvendësministër… Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”. Tash kryeministri po thotë se këto emërime nuk janë pare e humbur e buxhetit. Meqë gjendja socio-ekonomike nuk ka ndërruar, Krypometri vlerëson se tash kryeministri nuk po e thotë të vërtetën.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Afër tre vjet mjaftuan që veprimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të kenë mospërputhje totale me qëndrimin e tij lidhur me numrin e duhur të zëvendësministrave në një qeveri me numër rekord të ministrave.

Dikur Haradinaj thoshte se rritja e shpenzimeve qeveritare është “abuzim arrogant me pushtetin”, ndërsa tash e thotë të kundërtën. Meqë gjendja socio-ekonomike nuk ka ndërruar, Krypometri vlerëson se tash kryeministri nuk po e thotë të vërtetën.

Qeveria e Isa Mustafës, e formuar më 2014, funksionoi me 21 ministra, dy prej të cilëve pa protofol (ministrat Rasim Demiri dhe Edita Tahiri).

Përveç kësaj, ish-zyrtarë të Qeverisë së kaluar, i kanë thënë KALLXO.com se në Qeverinë Mustafa ishin 47 zëvendësministra.

Në vitin 2014, kur u zgjodh Qeveria me në krye liderin e LDK-së, Isa Mustafën, Haradinaj, lideri i AAK-së, parti e mbetur në opozitë, kishte kritikuar Qeverinë për mbipopullim më zëvendësministra.

Haradinaj në një postim në Facebook, në atë kohë konsideronte të papranueshme rritjen e numrit të ministrave dhe zëvendësministrave.

“Me një gjendje socio-ekonomike siç po gjendet Kosova, Qeveria nuk guxon të ketë më shumë se një Zëvendesministër. Është shumë shqetësuese dhe e papranueshme që pas numrit rekord te Ministrive, Qeveria e Republikës së Kosovës të ketë më shumë se një Zëvendësministër për Ministri. Rritja e pakuptimtë e shpenzimeve qeveritare po kalon në abuzim arrogant me pushtetin, vetëm për interesa të ngushta klienteliste”, shkroi ai.

Qeveria e Isa Mustafës e formuar më 2014, funksionoi me një numër prej 21 ministrish, dy prej të cilave pa portofol me ministrat Rasim Demiri dhe Edita Tahiri.

Me  marrjen e mandatit të Kryeministrit, Haradinaj emëroi 21 ministra, duke themeluar kështu dy ministri të reja, atë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë si dhe atë të Zhvillimit Rajonal.

Haradinaj e ka thyer rekordin e Qeverisë së kaluar për numër të ministrive, pasi tash janë 21 ministri funksionale, ndërsa në Qeverinë Mustafa kanë qenë 19 ministri dhe 2 ministra pa portofol.

Përveç rekordit në numër të ministrive, Haradinaj e ka vendosur edhe një rekord për numrin më të madh të zëvendësministrave.

Kishte shumë kritika për numrin e madh të zv.ministrave, kur Haradinaj arriti në 50 numrin e zv.ministrave të emëruar. Ndërsa, deri më tani i ka emëruar 61 zëvendësministra. E procesi i emërimit të zëvendësministrave nuk ka përfunduar ende.

Përkundër shumë kritikave, Haradinaj e arsyeton veprimin e tij me dinamikën e punëve. Madje, pas kritikave të shumta për numrin e madh të zv.ministrave, Haradinaj i ka udhëzuar ministrat se si t’i trajtojnë zëvendësat e tyre.

“Tani është shumë me rëndësi që secili ministër me iu delegu përgjegjësi konkrete zëvendësministrave edhe me bo përpjekje që këtë besim politik që iu kemi dhanë me e shfrytëzu me iu përgjigjë dinamikës qeverisëse që e kemi në vend”, ka thënë Haradinaj në një nga mbledhjet e Qeverisë. “Pra, të mos ndodh që një zëvendësministër të mos ketë punë dhe të mos ketë si ta arsyetojë angazhimin e vet.”

Ai në një deklarim të mëhershëm ka thënë se shpenzimet që i bënë shteti për zv.ministra nuk është pare e humbur. Ky është qëndrim i ndërruar, krahasuar me vlerësimin që Haradinaj e kishte dhënë nga karrika e opozitarit.

“Muj me ju thanë se nuk është pare e humbur e buxhetit të vendit për shkak se dinamika është ndryshe”, tha Haradinaj.