array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Kërcënimi i Rremë i Serbëve për Asociacion

Deklarata

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq: “Ne do të marrim të gjitha masat politike… që të  konstituojmë institucionin tonë ekzekutiv Asociacionin e Komunave Serbe (AKS) qysh në Sretenje (15 shkurt- dita e shtetit të Serbisë) të këtij viti”, tha Simic.

Slavko Simiq

Vlerësimi

Rrenë

Asociacioni i Komunave Serbe ende nuk është themeluar nga institucionet e Kosovës. E as deputetet serbë në koordinim me qeverinë e Beogradit nuk e kanë themeluar njëanshëm këtë institucion. Të paktën publikisht nuk dihet nëse është arritur ndonjë marrëveshje apo ka konsensus për themelimin e këtij asociacioni në një kohë më të shkurtër. Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që parimet e përgjithshme të këtij asociacioni nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Artikulli

Më 26 dhjetor 2016, ministra e deputetë të Listës Serbe shkuan në takim urgjent në Beograd, te kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim prezent ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Pas takimit, Gjuriq kishte deklaruar se nëse Qeveria e Kosovës nuk e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë këtë do ta bëjnë vetë serbët deri më 15 shkurt 2017.

“Ne nuk do ta lusim askënd për zbatimin e kësaj marrëveshje [Asociacionit]. Nëse gjatë javëve të ardhshme nuk do të ketë hapa konkretë për formimin e AKS-së, përfaqësuesit e serbëve në marrëveshje me shtetin e tyre [Serbinë] do të fillojnë ta formojnë vetë ‘Zajednicën’. Këtë do ta bëjmë deri më 15 shkurt 2017”, kishte deklaruar Gjuriq.

Se Asociacionin do ta formojnë vetë, kishin deklaruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq e kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

“Në koordinim me Qeverinë tonë, kryeministrin Aleksandar Vuçiq, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ne do të marrim të gjitha masat politike, kur bëhet fjalë për procesin që është baza e Marrëveshjes së Brukselit për komunitetin serb, të bëjmë atë që është dashur moti që të ndodhë, që të konstituojmë institucionin tonë ekzekutiv AKS-në qysh në Sretenje (15 shkurt- dita e shtetit të Serbisë) të këtij viti”, kishte cituar agjensia e lajmeve Beta deputetin e serbëve të Kosovës, Slavko Simiq.

Por, kanë kaluar afër një javë nga data e premtuar për themelimin e Asociacionit, e deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap për themelimin e këtij institucioni që ka shkaktuar protesta në rrugë e brenda Kuvendit të Kosovës nga opozita e cila e ka kundërshtuar vazhdimisht themelimin e tij.

KALLXO.com ka provuar të marr qëndrim nga Simiq në lidhje me premtimin e trefishtë për ASK-në, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve.

Më 23 dhjetor 2015 në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Kërkesa për themelimin e Asociacionit përsëritet nga përfaqësues e diplomatë në vizitat e tyre në Kosovë, madje e njëjta ishte kërkuar disa herë edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini.

Marrëveshja për statutin e themelimit të AKS-së ishte arritur më 25 gusht 2015. Ajo është njëra nga dy marrëveshjet për të cilën opozita kishte kundërshtuar dhe vazhdon të kundërshtojë zbatimin e saj.