Huqja e Afateve për Renovimin e Stadiumit të Prishtinës

Ky projekt është në vlerë prej 3 milion e 800 mijë euro dhe do të finalizohet për 14 muaj punë

Kujtim Shala, Nëntor 2017

Me kos

Kujtim Shala: Ky projekt është në vlerë prej 3 milion e 800 mijë euro dhe do të finalizohet për 14 muaj punë

Vlerësimi: Qeveria e Komuna e Prishtinës nuk i kanë dal në fjalë qytetarëve të Prishtinës e të Kosovës sa i përket rinovimit të stadiumit të kryeqytetit. Kur e patën filluar rinovimin e këtij stadiumi, me 14 maj 2016, ata patën deklaruar se brenda 14 muajve do ta kenë gati stadiumin. Sot kur kanë kaluar më shumë se 17 muaj prej këtij premtimi, në stadium po ‘vazhdohet’ të punohet. Punët nuk do të përfundohet deri në pranverën e 2018-ës.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, në maj të vitit të 2015, institucionet vendore u duk se e morën më seriozisht përmirësimin e infrastrukturës sportive, sidomos renovimin e stadiumeve të futbollit. Përkundër premtimeve deri më tani asnjë stadium nuk po i përmbush kriteret e kërkuara nga FIFA e UEFA dhe për rrjedhoj përfaqësuesja e Kosovës ndeshjet po i zhvillon në Shqipëri.

Të gjitha ndeshjet zyrtare të kombëtares së Kosovës në futboll si vendas, të tanët i kanë luajtur në Shkodër të Shqipërisë, ndërsa ndeshjen e fundit miqësore e luajtën në Kosovë.

Në qershor të vitit 2016, vetëm pak kohë pas pranimit zyrtar të Kosovës në FIFA dhe UEFA, përfaqësues të Komunës së Prishtinës së bashku me ministrin e atëhershëm të Sportit, Kujtim Shala zyrtarizuan punimet për rinovimin e stadiumit të Prishtinës.

Gjatës hapjes së punimeve u tha që ky rinovim do të përfundojë për 14 muaj.

“Mendoj që ky është shembull i mirë i punës së përbashkët për interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ky projekt është në vlerë prej 3 milion e 800 mijë euro dhe do të finalizohet për 14 muaj punë”, ishte shprehur në atë kohë ministri Shala.

“Do të kujdesemi maksimalisht ta garantojmë cilësinë e këtij investimi përmes mbikëqyrjes së përbashkët që do ta bëjmë”, kishte deklaruar Hysen Durmishi, drejtor drejtorisë së Infrastrukturës më 9 qershor të vitit të kaluar.

Mirëpo deri më sot, kanë kaluar më shumë se 17 muaj dhe stadiumi i Prishtinës ende nuk ka përfunduar.

Plani i rinovimit të Stadiumit nuk ishte pranuar nga shtëpia e futbollit evropian UEFA. KALLXO.com kishte gjetur se UEFA kishte bërë kërkesa shtesë në lidhje me projektin e stadiumit.

Mirëpo ish Ministri Shala, gjatë raportimit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se kërkesat shtesë edhe pse kanë një kosto të caktuar nuk do të jenë barrë për Ministrinë.

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës i kishte thënë BIRN-it se stadiumi pritet të përfundoj tek në prill të vitit 2018.

“Presim që stadiumi (i Prishtinës) të jetë gati deri në prill të vitit të ardhshëm. Janë ende disa punë që duhet bërë”, kishte thënë Eroll Salihu në gusht të këtij viti.

Gazeta Jeta në Kosovë ditë më parë ka publikuar hulumtimin për ndryshimin e dyshimtë të lokacionit dhe projektit të stadiumit kombëtar të Kosovës.

Së fundmi, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti e ka vizituar stadiumin e Prishtinës, mirëpo nuk ka përmendur datat se kur do të finalizohen të gjitha punët.