‘Hetimet Vazhdojnë’ për Forcat e Armatosura dhe Viza

Ramush Haradinaj, Shkurt 2018

Hetimet vazhdojnë

Ramush Haradinaj: “Nuk po mundem me precizu në mars saktë, por mundet edhe përpara”, ka deklaruar ai kur është pyetur se kur mund të hiqen vizat. “Besoj që mundet edhe përpara, të dyja”, ka thënë ai kur është pyetur se kur do të bëhet FSK-ja Forcë e Armatosur.

Vlerësimi: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se para muajit mars mund të bëhet liberalizimi i vizave dhe shndërrimi i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura. Muaji mars po afrohet ndërsa nuk ka asnjë lëvizje drejt realizimit të këtyre dy projekteve të mëdha. Një prej parakushteve për liberalizim të vizave, miratimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit me Malin e Zi ende nuk kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Krypometri do të vazhdojë të monitorojë për të parë nëse Hardinaj do të mund t’i realizojë këto projekte.

  • E Vërtetë

  • Pjesërisht E Vërtetë

  • Me Kos

  • Rrenë

  • Rrenë e kryptë

  • Qëndrim i ndërruar

  • Hetimet vazhdojnë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e huqi njëherë për kohën kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës. Kishte thënë se 90 ditë pas marrjes së pushtetit do të hiqen vizat edhe për Kosovën. Premtimi nuk është mbajtur. Kryepometri e kishte vlerësuar këtë zotim të tij si Rrenë e Kryptë.

100 ditë pas marrjes së pushtetit, Haradinaj e kishte bërë edhe një zotim të ri. Në dhjetor të vitit 2017, Haradinaj në një intervistë për televizionin publik (RTK) kishte thënë se përveç ushtrisë edhe liberalizimi i vizave do të ndodhë në muajin mars të 2018-tës.

Ai ka thënë se kosovarët mund të lëvizin pa viza para muajit mars të vitit që vjen. Gjithashtu edhe FSK-ja para atij muaji mund të shndërrohet në ushtri të Kosovës. Madje muaji mars, sipas tij, mund të jetë koha më e largët kur këto dy procese mund të realizohen.

“Nuk po mundem me precizu në mars saktë, por mundet edhe përpara”, ka deklaruar ai kur është pyetur se kur mund të hiqen vizat (Shih Këtu, min 1:30). “Besoj që mundet edhe përpara, të dyja”, ka thënë ai kur është pyetur se kur do të bëhet FSK-ja Forcë e Armatosur.

Muaji mars është afruar ndërsa nuk ka asnjë lëvizje drejt realizimit të këtyre dy projekteve të mëdha. Një prej parakushteve për liberalizim të vizave, miratimi i Marrëveshjes për Demarkimin e kufirit me Malin e Zi ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, ministri i Ministrisë së Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se FSK-ja do të shndërrohet në Forca të Armatosura në vitin 2018 eventualisht në vitin 2019.

“Ne jemi në rrugë të mirë që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese dhe mendoj se viti 2018/2019 do jetë vit i transformimit”, tha ministri Berisha për KALLXO.com.

Ky shëndërrim sipas tij do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese kërkojnë edhe 2/3 e votave të komuniteteve të Kuvendit të Kosovës, pra duhet edhe miratimi nga ana e deputetëve të Listës Serbe.

Pas takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Ramush Haradinaj nuk ka dhënë më data.

“Tani nuk po foli në detaje. Por sa më shpejt që ta kemi të kryer atë pjesë do të mundemi me ju kthy punës që me e aftësu Forcën tonë. Kuptohet se është fat i madh që kemi partnerë si Gardën Kombëtare të Iowas edhe Ushtrinë e Amerikës”, tha ai të martën për televizionin publik.

Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Ramush Haradinaj në takim me udhëheqësit e Gardës Kombëtare të Iowas foli për bashkëpunim të dy vendeve dhe Kosovën e quajti me fat që ka partnerë të tillë.

Po ashtu, kujtojmë që Haradinaj nuk e kishte mbajtur fjalën as për liberalizimin e vizave.

Rrena e Kryptë e Haradinajt për Liberalizim të Vizave

Ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së, presidenti Hashim Thaçi vitin e kaluar kishte iniciuar projektligjin, por më pas ishte tërhequr nga kjo nismë duke thënë se Ushtria duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese e jo me ndryshime ligjore.

Kosova Vajton ‘Autogolin’ për Themelimin e Ushtrisë

Kujtojmë që për transformimin e FSK-së në FAK nevojiten edhe 2/3 e votave të komunitetit pakicë.