Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija - Foto: KALLXO.com

Kryeziu Kërkon Përgjegjësi për Parashkrimin e Lëndëve të Korrupsionit

Petrit Kryeziu, shef i Zyrës Ligjore të BIRN dhe INTERNEWS KOSOVA, siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se lëndët e natyrës së korrupsionit, sidomos ato ku janë të përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, nuk do duhej të parashkruheshin.

Ai ka deklaruar se Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka për obligim që të hetojë rastet kur parashkruhen lëndët e korrupsionit. Sipas tij parashkrime të tilla nuk do duhej të mbylleshin pa dhënë përgjegjësi askush.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ndjekja penale ndaj ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqisë, i cili akuzohej për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar për shkak të parashkrimit të veprave penale është e pamundshme.

Zvarritja e lëndës për më shumë se pesë vjet ka bërë që vepra penale ndaj Haraqisë ta humbë vlerën, pasi që është parashkruar gjatë rrugëtimit 57 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës për në Gjykatën e Apelit, të cilat i ndan vetëm një mur në mes.

Ndjekja penale për Haraqinë i cili në cilësinë e ministrit të Kulturës akuzohej për shpërdorim detyre pushoi në janar të këtij viti, pasi lënda e tij u vjetërsua.

Siç dihet bashkë me Haraqinë të gjykuar në këtë çështje janë edhe ish-ministri  i Kulturës, Valton Beqiri, Nehat Fejza pronar i kompanisë “Concordia Pictures” dhe Armond Morina, pronar i kompanisë “Morina Films”.

Sipas aktakuzës Astrit Haraqija, në kohën kur ishte ministër i Kulturës, në vitet 2006-2007, kishte lidhur kontrata të kundërligjshme për financimin e dy projekteve filmike. Po sipas aktakuzës, dëmi që i ishte shkaktuar buxhetit me kontratat në fjalë ishte rreth 300 mijë euro.

Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shpallur fajtorë dhe lënda ishte kthyer në rivendosje nga Apeli. Por sërish gjykata i shpalli fajtorë në dhjetor të vitit 2016 dhe i kishte dënuar me nga një vit me burgim katër të akuzuarit.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” tregoi se Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Apelit për 5 vjet nuk arritën të nxirrnin një vendim për këtë çështje, duke lejuar kështu që lënda ndaj Haraqisë të endej herë në njërën e herë në tjetrën ndërtesë, pa një vendim përfundimtar.

Emisionin për vjetërsimin e lëndës së Astrit Haraqisë mund ta ndiqni në këtë link.

KALLXO.com vazhdimisht ka ndjekur procesin gjyqësor ndaj dy sih-ministrave të kulturës dhe dy producentëve filmikë.

http://kallxo.com/ish-ministrat-perseri-denohen-kusht/