Afërdita Bytyqi, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Kryetarja Bytyqi pa Tolerancë për Gjyqtarët e Padisiplinuar

Kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës Afërdita Bytyqi në intervistën dhënë për “Drejtësia në Kosovë” ka deklaruar se nuk do ketë tolerancë për ata gjyqtarë, apo staf të gjykatës të cilët bien ndesh me normat etike dhe ligjore.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, ajo ka deklaruar se çështja e hetimeve nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinor më shumë ka të bëjë me vonesat e lëndëve.

Mirëpo sipas saj kjo është për shkak se gjyqtarët janë të ngarkuar me numër të madh të lëndëve.

“Krejt normale është me qenë nën hetime në Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Sepse palët për një vonesë qoftë ajo edhe tre muaj ankohen në ZPD. Mirëpo, gjyqtarët nuk kanë mundësi që t`i procedojnë të gjitha lëndët përnjëherë”, ka thënë ajo.

KALLXO.com shkroi për gjyqtarin Adem Shabani, i cili inicioi një takim të prokurorit Visar Musa me një të akuzuar.

Zyra e Prokurorit Disiplinor këtë sjellje të gjyqtarit Shabani e ka konsideruar të pahijshme.

http://kallxo.com/zpd-gjyqtari-shabani-kreu-sjellje-te-pahijshme/

Kryetarja Bytyqi ka premtuar se nuk do tolerojë rastet sikurse ato të gjyqtarëve të cilët nuk i kanë deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës të hyrat që i kanë realizuar nga qiratë.

“Nëse gjeni raste të tilla tani e tutje, mund ta bëni krahasimin dhe mund të më thoni se ke premtuar kështu dhe ka dalë diçka tjetër”, ka thënë ajo.

Në nëntor të vitit të kaluar “Drejtësia në Kosovë” zbuloi se disa gjyqtarë e prokurorë edhe pse fitojnë nga qiraja nuk i paraqesin ato të hyra në Administratën Tatimore të Kosovës.

Gjykatës e Prokurorë u Ikin Tatimeve

Deklaratat e kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë Afërdita Bytyqi mund t’i ndiqni në vazhdim.