Qendra e qytetit të Sreebrenicës. Foto: Samun Benutzer/Wikicommons.

Kryetari i Srebrenicës Mohon Përsëri Gjenocidin

Mladen Grujiciq tha për N1 TV të mërkurën në mbrëmje se ai nuk besonte se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare dhe atyre boshnjake.

“Çdo viktimë ka peshën dhe rëndësinë e tij dhe kjo duhet të respektohet. Por s’mund të jem dakord me kualifikimin e krimit,” tha kryetari i Komunës së Srebrenicës në një intervistë televizive.

Ai tha gjithashtu se në vendimet e gjykatave ndërkombëtare, numri i viktimave të masakrave, në të cilat mijëra burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, nuk përputhej.

Ai shtoi se ishte i përfshirë në hulumtimin e masakrave dhe u shpreh se kishte gjetur “shumë prova” se disa prej njerëzve që janë të regjistruar si të varrosur në fshatin Potocari, ku ndodhet memoriali i Srebrenicës dhe varret e viktimave, ishin në të vërtetë gjallë.

“Lista e viktimave duhet të rishikohet dhe të ndryshohet,” këmbënguli ai.

Grujiciq, një ish-mësues kimie, është kryetari i parë serb i komunës, i zgjedhur mes polemikash të shumta në tetor të vitit të kaluar, sepse deri atëherë, kreu i komunës lokale kishte qenë gjithmonë një boshnjak.

Zgjedhja e tij rriti shqetësimet ndër shumë boshnjakë, të cilët druheshin se ai do të injoronte e madje cenonte statusin e tyre në Srebrenicë.

Por Grujiciq tha në intervistë se pavarësisht kësaj frike, ai kishte treguar se një serb mund të përfaqësonte popullin e Srebrenicës.

“Disa prisnin që boshnjakët të largoheshin, se kjo do të çonte në një situatë krize. Por ndodhi e kundërta. Unë u pranova nga boshnjakët dhe nga serbët, si fqinjët e tyre. Një fqinj që jeton këtu me familjen e tij dhe që dëshiron të ndryshojë mjedisin për mirë”, tha ai.

Grujiciq tha në një interviste për BIRN muajin e kaluar se donte ta linte pas luftën dhe debatin shumë polemik në lidhje me gjenocidin dhe të përpiqej të tërhiqte hapje të  vendeve të punës dhe prosperitet në qytetin e shpopulluar dhe të varfër.

Ai u shpreh se Srebrenica ka qenë shpesh “dëm kolateral” në debatin e pafund politik midis politikanëve boshnjakë dhe politikanëve serbë të Bosnjës.

Ai tha megjithatë se mendonte se e vërteta për masakrat e Srebrenicës “nuk ishte vërtetuar”.

Por ai këmbënguli se viktimat e Srebrenicës duhet të nderohen, duke theksuar se ai s’ka ndryshuar asgjë në buxhetin për përkujtimoren e planifikuar të përvitshme të masakrave më 11 korrik, por thjesht ka rritur edhe sasinë e parave për të përkujtuar gjithashtu edhe viktimat serbe në Srebrenicë.