Mursel Zymberi, Facebook/Screenshot

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë Bën Fushatë për Lutfi Hazirin

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil të Republikës së Kosovës, Mursel Zymberi, po bën fushatë për kandidatin e LDK-së në Komunën e Gjilanit, Lutfi Hazirin.

Ai në profilin e tij në Facebook publikon fotografi të Lutfi Hazirit dhe fotografi me deputetin e LDK-së dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani si dhe asamblistin e zgjedhur nga radhët e LDK-së në Gjilan, Gentrit Murselin duke lobuar për Lutfi Hazirin.

“Një aktivitet i përditshëm. Të bashkuar deri në ditën e fitorës! LidhjapërGjilanin #Luta47”, ka shkruar Zymberi mbi një fotografi që e ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Zymberi e mohon se është duke bërë fushatë.

“Unë s’kam qenë i përfshirë në fushatë në asnjë mënyrë, as në nëndegë, as në degë as në zgjedhje as në kurrnifare s’jam. Unë jam në lidhje familjare me z. Haziri, Luta është nip i joni dhe tash ajo nuk prish punë”, tha Zymberi për KALLXO.com.

I pyetur rreth njërës fotografi të publikuar Facebook nga vet ai, ai thotë se ka lidhje tjera me personat në fotografi.

“Imet Rrahmani është deputet dhe ish-ministër, por në rend të parë është fqiu i jem i parë, ndërsa edhe Gentrit Murseli është një djalë nga lagja dhe definitivisht një ndejë që e patëm dje, kemi pi kafe dhe është bërë fotografia”, tha në mes tjerash Zymberi për KALLXO.com.

Megjithatë ai asesi nuk e pranon që fotografia e shpërndarë me mbishkrimin ku kërkon të votohet Lutfi Haziri është fushatë.

Një postim i Mursel Zymberit në Facebook, në mbështetje të kandidaturës së Lutfi Hazirit.

“Unë nuk kam bërë fushatë, mos i merni senet ashtu, ju kisha lut, nuk kam bërë fushatë, nuk jam pjesë e fushatës, as e partisë e as strukturave, absolut”, tha Zymberi për KALLXO.com.

I pyetur se çfarë ka për t’u thënë anëtarëve të sindikatës kur e shohin veprimtarinë e tij në Facebook duke përkrahur një kandidat, Zymberi thotë: “Unë i them secilit anëtar të sindikatës me i përzgjedhë ata që ua merr mendja”.

Kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri do të përballet më 19 nëntor në balotazh me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.