Gradimir Mikiq, kryetar i komunës së Ranillugut

Kryetari i Ranillukut me 1500 Pamflete për Zgjedhjet Serbe

Kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku tregoi për KALLXO.com arsyen pse u arrestua mbrëmë kryetari i Ranillukut Gradimir Mikiq.

“Është arrestu kryetari i Ranillukut mbramë rreth orës 21:00 ne vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’ për shkak se me automjetin zyrtar ka bartur material me përmbajtje propagadistike për zgjedhjet për kryetar të Serbisë”, tha Maloku.

Ai tregoi edhe sasinë e materialin propagandistik për këto zgjedhje që u zu në makinën me të cilën udhëtonte Mikiq.

“Në bagazh janë gjetur rreth 1500 reklama e pamflete të ndryshme”, tha Maloku.

Sipas Malokut, Mikiq u arrestua nën dyshimet për nxëitje të urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, fetar, etnik.

Maloku bëri të ditur se kryetari i Ranillukut është liruar.

“Është intervistuar bashke me një zyrtar tjetër të Komunës se Ranillukut dhe ata pas orës 2:00 pasmesnate janë liruar nga prokurori kujdestar i krimeve të rënda në procedurë të rregullt. Hetimet vazhdojne dhe më tutje”, tha Maloku.

Arrestimin e dy personave për material propagandues e konfirmoi edhe Bajram Krasniqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës

“Raportohet se në hyrje të Republikës së Kosovës është ndaluar vetura me targa vendore në të cilën po udhëtonin dy meshkuj serbë. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur dhe konfiskuar materiale propaganduese të cilat përmbajnë foto dhe mbishkrime të personaliteteve të larta të Serbisë”, tha Krasniqi.

Zgjedhjet për president të Serbisë mbahen në prill.