Kryetari i PDK-së në Suharekë Bie Ndesh me Ligjin

Partia Demokratike e Kosovës ka filluar të përgatitet për zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Ky subjekt ka zgjedhur edhe kryetarët e degëve në qytetet e vendit.

Në Suharekë, prej ku vjen nënkryetari i partisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryetar është zgjedhur Blerim Xhemajli, i cili është zyrtar në Ministrinë që e drejton Hoxhaj.

Blerim  Xhemajli në janar të këtij viti është emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në pozitën e drejtorit të Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme.

Ai ishte emëruar në këtë pozitë me kërkesë të ministrit Hoxhaj. Xhemajli deri në atë kohë kishte qenë duke shërbyer si staf diplomatik në Mal të Zi.

Atij i është kërkuar të vijë në Kosovë siç thuhet në vendimin e Ministrisë “për nevoja të Ministrisë”.

Ndërsa, në muajin mars, Blerim Xhemajli ishte zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Suharekë.

Mirëpo, pika 3 e nenit 17 e Ligjit për Shërbyes Civil thotë që nëpunësi civil nuk mund të mbajë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Xhemajli pranoi se është duke i mbajtur të dyja pozitat.

“Po, mirëpo jemi duke e shqyrtuar këtë çështje dhe me marrë masa. Unë do të konsultohem me kolegët edhe do të vendosim. Unë do të veproj qysh thotë Ligji”, tha shkurtimisht për KALLXO.com Blerim Xhemajli.

Ai për KALLXO.com tha se është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së para afro dy javësh.

“Qe 2 javë përafërsisht jam zgjedhur kryetar i degës së PDK-së, a pozitën e drejtorit e kam prej muajit janar”, tha ai për KALLXO.com.

Mirëpo, në raportimin që e ka bërë portali Therandapost, ai është zgjedhur kryetar më 16 mars, pra rreth 1 muaj më herët.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Fitim Sadiku, në një prononcim për KALLXO.com tha se nuk e di që Blerim Xhemajli është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Suharekë.

“Me të tregu të drejtën nuk e kam këtë informatë unë edhe nuk mundem me të thënë asgjë pa biseduar me të. Unë do të flas me Blerimin edhe pastaj shoh qysh, çka po bëjmë”, tha sekretari i MPJ-së Fitim Sadiku.