Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Kryetari Haziri Paralajmëron Ndryshime në Qeverisjen e Gjilanit

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar se të martën do ta prezantojë ekipin e ri qeverisës.

“Me ndryshimin e Statutit të Komunës si dokument që e organizon jetën institucionale, është krijuar mundësia që të finalizohen marrëveshjet politike me partitë, organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit. Gjatë fundjavës do të përfundojnë takimet me partitë dhe të martën do t’i prezantoj emërimet e reja. Do të ketë emra edhe nga shoqëria civile”, ka thënë Haziri.

Ai rikonfirmoi se është për gjithëpërfshirje politike, por me kusht që propozimet të jenë konform respektimit të barabartë sa i përket përfaqësimit gjinor.

“Jam i gatshëm ta pjesëtoj qeverisjen katërvjeçare me të gjitha partitë politike”, tha i pari i Gjilanit.

Ai ritheksoi boshllëkun në disa resorë të Komunës qe më shumë së një vit, pas suspendimit të 29 shërbyesve civilë si pasojë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, duke thënë se shërbimet profesionale janë treguar të pamjaftueshme për ta mbushur boshllëkun.

“Besojmë se këtë boshllëk do ta plotësojmë përmes konkurseve të brendshme”, tha Haziri.

Haziri ka paralajmëruar investime në infrastrukturë në vlerë prej 36 milionë euro, të cilat tha se do t’ua përmirësojnë cilësinë e jetës qytetarëve.

“23 programe të hapura i kemi nga viti i kaluar për infrastrukturë publike, dy programe të sportit, siç është stadiumi i qytetit, palestra në Zhegër, dy stadiume ndihmëse dhe programe tjera sektoriale që kapin shifrën e 36 milionë eurove, pa e përfshirë këtu edhe autostradën. Po ashtu, presim që Qeveria ta konfirmojë edhe Soft Loan për kolektorët e ujërave të zeza”, është shprehur kreu i Gjilanit.

Haziri ka paralajmëruar se do të subvencionohen edhe ndërmarrjet “Stacioni i Autobusëve” e “Tregu” etj., përderisa pohoi se po punojnë në zgjidhjen e problemit në kompaninë “Ecohigjiena”.

“Neni 6 i kontratës me Ecohigjienën thotë se palët me marrëveshje mund ta zgjidhin problemin eventual dhe si partner publik që është Komuna, nga sot e kemi dhënë afatin prej 30 ditëve që komisionerët tanë dhe ata të partneritetit privat të ulen për ta zgjidhur këtë problem. Unë besoj që ka potenciale profesionale që të zgjidhet. Në të kundërtën, ndërmarrja do të kthehet në pronësi qind për qind të Komunës pasi partneri privat nuk e ka respektuar kontratën”, tha Haziri. ​

Lutfi Haziri në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale më 19 nëntor kishte fituar me 63.9 për qind të votave kundrejt kundërkandidatit të tij nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi i cili kishte marrë 36 për qind të votave.

Me 22 dhjetor, një muaj pasi doli fitues i zgjedhjeve lokale ai bëri betimin në Kuvendin Komunal si kryetar i Komunës së Gjilanit për mandatin e dytë me radhë.