Kryetari Bashota Nuk Doli në Punë

Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, sot nuk është paraqitur në vendin e tij të punës. KALLXO.com është përpjekur ta kontaktojë kryetarin Bashota, por kjo ka qenë e pamundur.

Nga personeli i zyrës së kryetarit, KALLXO.com është informuar se kontakti është i pamundur meqë ai nuk gjendej aty.

Skender Behrami, asistent në zyrën e kryetarit, ka thënë përmes telefonit se Sokol Bashota gjendet në Prishtinë në një takim zyrtar.

“Kryetari gjendet në Prishtinë, në një takim zyrtar. Ndërsa, pasdite agjendën e ka te mbushur me takime të tjera zyrtare në Klinë”, tha Behrami.

Të enjten, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë bastisur zyret dhe shtëpitë e kryetarit, vozitësit të tij dhe të një zyrtari komunal të prokurimit.

Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhëresë për bastisje të shtëpive apo banesave të këtyre tre të dyshuarve të cilët dyshohen për kryerjen e veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit dhe konfliktit të interesit.

Veprat për të cilat ata dyshohen kanë ndodhur më 2014.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për operacionin e bastisjeve të së enjtes dhe për faktin se autoritetet e rendit nuk kanë mundur ta gjejnë kryetarin Bashota.

 

http://kallxo.com/bastisje-ne-komunen-e-klines-i-dyshuar-edhe-sokol-bashota/ [interaction id=”56b88a4c180dad85056b1387″]