Pamje nga takimi i sotëm - Foto: KGjK

Kryetarët e Gjykatave të Kosovës Krijojnë Asamblenë e Tyre

E thirrur nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi, është mbajtur mbledhja konstituive e Asamblesë së kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës të gjykatave të Kosovës.

Krijimit të Asamblesë së Gjyqtarëve i ka paraprirë miratimi i Rregullores nr.07/2017 në nëntor të këtij viti.

Asambleja ka rol këshillëdhënës për Këshillin Gjyqësor të Kosovës në çështjet që ndërlidhen me veprimet e gjykatës duke dhënë propozime dhe rekomandime në çështjet e caktuara si në vijim: performancën e gjykatave në zgjedhjen e lëndëve, hartimin e ligjeve, rregulloreve, infrastrukturën, buxhetin etj.

Asamblenë e përbëjnë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, kryetari i Gjykatës së Apelit, kryetarët e gjykatave themelore dhe nga një gjyqtar mbikëqyrës nga secila gjykatë themelore.

Kryetarët e gjykatave do të jenë anëtarë për aq kohë sa mbajnë postin e kryetarit të gjykatës, kurse gjyqtarë të ndryshëm mbikëqyrës nga rajoni i çdo gjykate themelore i cakton Këshilli Gjyqësor i Kosovës çdo vit sipas shortit.

Ndërsa, kryesuesi i KGjK-së merr pjesë në takimet e Asamblesë, por nuk ka të drejtë vote.

Gjithashtu, në këtë takim konstituiv, kryesues i Asamblesë me shumicë votash është zgjedhur Bashkim Hyseni, kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj.