Kryesuesi në Pejë Rizgjidhet në Votimin e Tretë

Islam Husaj nga radhët e LDK-së sërish është rizgjedhur kryesues i Asamblesë Komunale të Pejës,pas tri raundeve të votimit në seancën e parë të rregullt të këtij legjislacioni.

Husaj në raundin e tretë të votimit mori 19 vota, kurse kundërkandidati i tij nga radhët e AAK-së Arbër Grabovci 11 vota, ndërsa 5 vota ishin të pavlefshme.

Fituesin nga votimet e këshilltarëve e bëri të ditur njëri nga anëtarët e komisionit vëzhgues të procesit të votimit.

“Në rrethin e tretë të votimit fletëvotime janë gjithsej 35, të vlefshme 30, të pavlefshme 5. Konstatohet se Islam Husaj merr 19 vota, Arbër Grabovci 11”, tha Berisha.

Në dy përpjekjet e para asnjëri kandidat nuk mori shumicën e votave të këshilltarëve komunalë.

Për pozitën e kryesuesit në raundin e parë LDK-ja propozoi Islam Husajn, AAK-ja Arbër Grabovcin, kurse PDK-ja Ukë Selimajn.

Në raundin e dytë garuan vetëm Husaj dhe Grabovci, mirëpo asnjëri nuk arriti shumicën e votave, derisa u desh të votohet për të tretën herë.

Pasi u zgjodh kryesues në fjalën e tij të rastit, Husaj tha se do punojë sikurse mandatin e kaluar që sërish asambleja e Pejës të përzgjidhet më e mira në Kosovë.

“Unë si kryesues do të respektoj gjithë rregullativën ligjore e cila ka të bëjë me pushtetin lokal dhe funksionimin e komunës”, tha Husaj.

Husaj edhe në mandatin e kaluar katërvjeçar ka qenë kryesues i asamblesë komunale, ku nën udhëheqjen e tij asambleja komunale u shpërblye me çmime për transparencë dhe llogaridhënie.

Gjatë kësaj seance u propozuan edhe anëtarët e subjekteve politike për udhëheqjen e Komitetit për Politikë e Financa dhe Komitetit për kthim.

Kryesuesi Husaj kërkoi nga subjektet politike që përfaqësimi i këtyre anëtarëve të jetë i barabartë sa i përket përkatësisë gjinore.