Pamje nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit - Foto: KALLXO.com

Kryesia Nuk Dakordohet për Vazhdimin e Seancës së Jashtëzakonshme

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tregoi se e lëshoi në mënyrë demonstrative mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për shkak se, siç tha ai, kryeparlamentari, Kadri Veseli, po tenton ta bllokojë mundësinë që deputetët të mbledhin 40 nënshkrime për të ftuar seancë të jashtëzakonshme.

“Veseli po thotë se për seancë të jashtëzakonshme të vendos Kryesia, e ne në këtë nuk bëjmë kompromise, sepse po mohohet një e drejte kushtetuese sepse me 40 nënshkrime deputetët mund te ftojnë seancën e jashtëzakonshme. Është precdent i rrezikshëm me ia marrë një të drejte opozitës”, tha Konjufca.

“Ne kemi propozuar për të hënën, ndërsa ata po dojnë të enjten me e mbajtë seancën. Ata me vota e rrëzuan propozimin tonë, por kjo është precedent i rrezikshëm e ne s’e pranojmë kurrë. Me siguri që do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Konjufca.

Edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, theksoi pas mbledhjes se nuk arritën të dakordohen për vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme.

“Sot u shkel një praktikë e kahmotshme e Kuvendit për të caktuar seancën e jashtëzakonshme ata që e thirrin seancën”, tha Hoti.

“Do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për këtë”, tha Hoti kur u pyet për mundësinë e dërgimit të çështjes në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, pasi tregoi se nuk u pajtuan që seanca të mbahet të hënën por të enjten, tha se “na vjen keq që ne sot e vërejtëm një impakt të fushatës zgjedhore.

“Seanca ështe thirrë me 40 nënshkrime dhe munden me thirrë sa herë që kanë qejf. Asnjëherë nuk do të cenojmë kërkesat e tyre, por në momentin kur ata nuk janë në gjendje me vazhdu seancën na nuk marrim përgjegjësinë me ia vazhdu. Vazhdimin e seancës e vendos Kryesia e Kuvendit. Ne kërkojmë të mbahet të enjten”, tha Krasniqi.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK e quajti fillim të fushatës kërkesën e opozitës.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha pas takimit se mbledhja e Kryesisë nuk përfundoi si duhet.

“Më lejoni të theksoj se gjatë krejt kohës mbledhja nuk pat konsensus. Kolegët e opozitës ishin dakordu më herët që të bllokojnë punën e Kuvendit. Rregullorja e Kuvendit do të respektohet pikë për pikë. Kërkesa me 40 nënshkrime është mbajtur, vetë kërkuesi ka kërku ndërprerjen e seancës. Ka mirëkuptim që duhet të ketë vazhdim të seancës”, tha Veseli.

Seanca e jashtëzakonshme, e thirrur nga opozita, VV, LDK e Alternativa, për të diskutuar për parimet programore të Qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, ishte ndërprerë me kërkesën e vetë iniciuesve pasi që në të nuk kishte ardhur asnjë përfaqësues i Qeverisë as ndonjë deputet i koalicionit në pushtet, me përjashtim të Milaim Zekës.

http://kallxo.com/nderpritet-seanca-e-jashtezakonshme/