Pamje nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit - Foto: Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit Vendos Mbajtjen e Dy Seancave Këtë Javë

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në një mbledhje të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, shqyrtoi kërkesat për mbajtjen e dy seancave gjatë kësaj jave.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, konform kërkesës së deputetëve Avdullah Hoti dhe Arbërie Nagavci, të mbështetur edhe nga 38 deputetë të tjerë nënshkrues, Kryesia vendosi që seanca e jashtëzakonshme në të cilën pritet të debatohet lidhur me “Vendimin e Regjistrit Evropian të Sigurimit të cilësisë për Arsimin e lartë për përjashtimin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga ky organizëm, të datës 27 shkurt 2018”, të mbahet të mërkurën, më 7 mars, në orën 11:00.

Një ditë më vonë, më 8 mars, në orën 10:00, me kërkesë të deputetes Albulena Haxhiu, mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e mbështetur edhe nga tetë deputetë nënshkrues, Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë, për të debatuar lidhur me dhunën në familje dhe adresimin institucional.

Sipas njoftimit, në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.