Kryeqyteti Ynë i Vogël

Kur zyrtarët e KFOR’it, në vitin 1999, patën sugjeruar se Prishtina i ka mbi gjysmë milionë banorë, kjo nuk ishte rezultat i ndonjë studimi të mirëfilltë të popullsisë. Përkundrazi, sugjerimi i tyre ishte bazuar thjeshtë në përshtypjen që qyteti u kishte lënë atyre në muajt e parë të pasluftës. Kjo përshtypje me lehtësinë më të madhe u shndërrua në një të vërtetë absolute e pothuajse u gdhend në gurë  pasi që OSBE’ja e citoi atë shifër në botimin e tyre të përvitshëm ‘profili i komunës.’ E njëjta shifër pastaj u ripërdor edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare si dhe nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe Komunën e Prishtinës. Qytetarët u pajtuan menjëherë: më në fund kryeqyteti i tyre e kishte fituar madhësinë që e meritonte dhe kishte lënë pas imazhin e qytetit të vogël jugosllav.

Mirëpo, të gjitha studimet statistikore sugjeronin që Prishtina i ka vetëm rreth 200,000 banorë. Largimi i serbëve të Prishtinës, si dhe emigrimi i prishtinasve të tjerë ishte balancuar me ardhjen e banorëve të rinj nga e gjithë Kosova, por nuk ishte tejkaluar ashtu siç sugjerohej. 

Një raport i vitit 2006 i organizatave Iniciativa Kosovare për Stabilitet (IKS) dhe Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) doli për herë të parë me një analizë të burimeve statistikore të numrit të banorëve të Prishtinës (për raportin në fjalë klikoni këtu).

Burimi i parë ishte një studim që Drejtorati për Mbrojtje Civile dhe Emergjencë (Komuna e Prishtinës) e kishte bërë në vitin 2003. Për t’i mësuar karakteristikat e popullsisë në Prishtinë në mënyrë që të krijojnë plane të evakuimit për raste të emergjencave, ata kishin organizuar ekipe që shkonin derë më derë dhe plotësonin kartelat familjare me të dhëna bazike mbi qytetarët. Ata vlerësuan se kishin arritur t’i regjistronin vetëm 70-80 % e banorëve. Të tjerët nuk i kishin gjetur në shtëpi ose për arsye tjera nuk kishin mundur t’i regjistrojnë. Duke i marrë të gjitha këto parasysh, Prishtina dilte se  kishte rreth 230,000 banorë. 

Burimi i dytë ishte ujësjellësi i Prishtinës. Në vitin 2004 rreth 35.000 shtëpi kanë qenë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit, numër i cili kur shumëzohej me madhësinë mesatare të familjes në Prishtinë (rreth 5.7)  jepte shifrën 200,000.

Burimi i tretë ishte regjistri i votueseve (banorët mbi 18 vjet) dhe numri i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme (banorët nën 18 vjet), me mbledhjen e të cilëve numra dilte se Prishtina i ka rreth 200,000 banorë 

Ky raport ishte i mangët, natyrisht, por së paku bazohej në burime statistikore e jo në përshtypjet e ndërkombëtarëve dhe ndjenjat e qytetarëve. Si i tillë, autorët patën shpresuar se raporti do të nxiste debat në lidhje me informatat që e përbëjnë bazën e qeverisjes së Prishtinës. 

Në vitin 2008, Enti i Statistikave të Kosovës doli me një vlerësim të ngjashëm të numrit të banorëve. Komuna e Prishtinës sipas ‘Analizës së statistikave vitale për periudhën më të re, qershor 2008,’ kishte rreth 240,000 banorë.

Në vitin 2011, regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë konfirmoi edhe një herë se Prishtina nuk ka më shumë se 200,000 banorë. Ky regjistrim doli gjithashtu i mangët për faktin se regjistrimi i diasporës nuk është kompletuar si dhe regjistrimi i popullsisë në katër njësi territoriale të Kosovës. Sidoqoftë, sa i përket përdorimit të këtyre shifrave si bazë për qeverisjen e 34 njësive territoriale ku regjistrimi i ka përfshirë të gjithë banorët, këta numra nuk kanë pse të jenë të pabesueshëm. Javën e kaluar, më 29 shtator, mbarëvajtja e përgjithshme e procesit të regjistrimit u konfirmua nga Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar (IMO), i përbërë nga Komisioni Evropian (Eurostat), Këshilli i Europës dhe organizata tjera.

Por, pa marrë parasysh faktet, organizata dhe individë të ndryshëm në Kosovë, të indinjuar dolën me deklarata refuzuese për këtë proces dhe këta numra. Akademia e Arteve dhe Shkencave (AASHK) u citua në disa gazeta ditore të ketë deklaruar se “shkaqet e dështimit të regjistrimit tashmë janë të njohura…kështu që nuk mendojmë se është e nevojshme të përsëriten me këtë rast”. Ofendimi që ju bë akademikëve të Kosovës me botimin e këtyre numrave ishte aq i thellë, sa që ata nuk mundën as të deklaroheshin se çka nuk ishte në rregull me ata numra. Përveç, natyrisht, se ata ishin shumë të vegjël dhe vogëlsia e tyre ishte në vetvete ofendim.

Mirëpo, t’i lëmë anash sedrat e akademikëve për një sekondë dhe të përqendrohemi te problemi i vërtetë i statistikave të gabuara: statistikat e gabuara rezultojnë me qeverisje të gabuar. Prishtina këto vitet e fundit është qeverisur si një qytet dyfish ose trefish më i madh se që është në realitet. Lagje të reja janë planifikuar dhe ndërtime të reja kanë filluar (kryesisht duke mos i përfillur planet në fjalë). Banesat kanë filluar të shiten me çmime marramendëse, thua se janë duke u ndërtuar në ndonjë qytet të rëndësishëm në BE’së, kur në fakt sapo morëm vesh nga regjistrimi i popullsisë se 32 për qind e të gjitha njësive banesore në Prishtinë janë të pabanuara. Kjo informatë ishte dashur ta modifikonte tregun e patundshmërive dhe t’i zbriste çmimet, sidomos ato të qirasë.

Administrata e Komunës së Prishtinës do të duhej të dinte se sa banorë të përhershëm ka Prishtina, sa ka njerëz që hyjnë e dalin nga Prishtina çdo ditë, sa ka automjete dhe cilat janë nevojat e secilit grup. Kur buxheti është i vogël, është e rëndësishme të mendohet mirë për prioritetet buxhetore. A ka nevojë Prishtina për rrugë të re qarkore që kalon nëpër lagjen e re Mati 1, kur Kodra e trimave vërshon çdo vit nga të reshurat që nuk mund të mbarten në kanalizimin ekzistues? Është pjesë e qeverisjes së mirë të bëhet dallimi në mes të prioriteteve dhe të merren vendimet e drejta. 

Është shqetësuese se sa keq është menaxhuar qyteti i Prishtinës prej pas lufte e deri më sot. Është edhe më shqetësuese kur e kuptojmë se ky ishte keqmenaxhim i një kryeqyteti shumë të vogël dhe në parim lehtë të menaxhueshëm. Përderisa ne kolektivisht refuzojmë t’u besojmë statistikave që pasqyrojnë realitetin shumë më mirë se sa përshtypjet tona, ky qytet do të vazhdojë t’i plotësojë nevojat e një popullate fiktive para se t’i adresojë nevojat tona.