Shpresa Bakija - Foto: KALLXO.com

Kryeprokurorja e Suspenduar e Gjakovës Mohon Fajësinë

Në gjykimin kundër kryeprokurores së suspenduar të Gjakovës, Shpresa Bakija dhe Arben Arifit, kanë dëshmuar Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” dhe dëshmitarët Nadire Lleshi dhe Gëzim Baloku.

Seanca filloi me njoftimin që kërkesa e avokatit Ndrec Dodaj për përjashtimin e trupit gjykues dhe të gjithë gjykatës në Gjilan është refuzuar me vendim të Gjykatës së Apelit.

Kryeprokurorja e Gjakovës, e cila me vendim të Këshillit Prokurorial është e suspenduar nga puna, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare kur nga zyra e saj u nxorën transkriptet e mesazheve private të telefonit të përgjuar të Xhemile Karakushit.

Mesazhet e publikuara kundërligjshëm më pas ishin përdorur për shantazhe ndaj viktimës, e cila në atë kohë ishte ndarë nga burri i saj.

Aktakuza ndaj kryeprokurores Bakija është ngritur pas raportimit të emisionit “Drejtësia në Kosovë” në tetor të vitit 2014.

Në dëshminë e tij, Kreshnik Gashi deklaroi para Gjykatës që dëshiron të jetë dëshmitar i privilegjuar, pasi që me profesion është gazetar dhe që në raste të caktuara të mos përgjigjet për arsye të mospublikimit të burimit të informacionit.

Gashi duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të rastit Agron Uka ka sqaruar se si është zhvilluar hulumtimi deri në publikim të emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

“Ne kemi kontaktuar të gjitha burimet që kemi pasur për të hulumtuar rastin”, tha Gashi.

Në gjykim me propozim të prokurorit janë shikuar disa pjesë nga emisioni “Drejtësia në Kosovë“, i titulluar “Siguria e përgjimeve”.

Kryeprokurorja e suspenduar Shpresa Bakija gjatë deklarimit të saj tha se nuk ka kryer asnjë nga veprat për të cilat akuzohet.

“Me dijen time ato tabulate të SMS-ve nuk kanë dalë jashtë Prokurorisë dhe secili që mund ta ketë bërë e ka bërë në mënyrë të fshehtë dhe nuk është e vërtetë që unë këto SMS ia kam dhënë personit tjetër, Gëzim Balokut”, tha Bakija.

Ndërsa Arben Arifi tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Nuk i kam keqpërdorur SMS-të që i kam marrë nga Gëzim Baloku, të cilin e kam paguar 250 euro të m’i sigurojë ato tabulate dhe nuk e di se ku i ka marrë ai ato tabulate por ato SMS i kam përdorur për t’u sqaruar me familjen e të dëmtuarës, të cilët më kanë kërcënuar”, u shpreh Arifi.

Deklarata e këtij personi dhënë në “Drejtësia në Kosovë” u shfrytëzua si bazë për nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit.

Ndërsa i pandehuri Arben Arifi akuzohet se në qershor të 2014 në Gjakovë me dashje ka cenuar fshehtësinë e të dhënave- dokumenteve të mbyllura, me qëllim të shkaktimit të dëmit personit tjetër, në atë mënyrë që tabulatet e mesazheve të pranuara nga avokati Gëzim Baloku, i hap dhe ia dorëzon personit tjetër, përkatësisht vëllait dhe axhës të të dëmtuarës Karakushi dhe të njëjtat i dërgon dhe në Gjykatën Themelore në Gjakovë në mënyrë që të përdoren si prova në çështje tjetër penale.

Trupi gjykues njoftoi palët që fjala përfundimtare do jepet më 16 qershor e pastaj pritet verdikti gjyqësor.

KALLXO.com kishte shkruar edhe më herët për rastin e kryeprokurores Bakija.

http://kallxo.com/kryeprokurorja-thote-deshmitares-pse-po-rren/

 

http://kallxo.com/apeli-kthen-ne-rivendosje-rastin-e-prokurores-shpresa-bakija/

http://kallxo.com/aktakuze-ndaj-kryeprokurores-shpresa-bakija-per-rrjedhjen-e-sms-ve-te-dashurise/